Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Politikë

Ben Blushi: Pse Shqipërisë i duhet sot një brez i çmendur

15:19 / October 4, 20256 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
1638453081 benblushie1551514373537
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Ben Blushi

Para disa ditësh isha në një universitet dhe pyeta studentët nëse e dinin se çfarë gjenerate janë. U habita shumë që askush nuk e dinte se 20-vjeçarët e sotshëm, që kanë lindur mes viteve 1997 dhe 2012, quhen Gjenerata Z.

Përpara tyre ka pasur disa gjenerata si: Silent Generation, e viteve 1928–1945; Baby Boomers, e viteve 1946–1964; Gjenerata X, e njerëzve që kanë lindur mes viteve 1965–1980; Gjenerata Y, e viteve 1981–1996; Gjenerata Z, e viteve 1997–2012; dhe e fundit, Gjenerata Alfa, e lindur pas vitit 2013.

Pra, në 100 vitet e fundit, njerëzimi ndahet në gjashtë gjenerata. Gjeneratat janë kategori shkencore, kulturore dhe historike.

P.sh., gjenerata Silent – e Heshtura – ka lindur pasi makinat zëvendësuan kuajt, por para se televizorët të hynin nëpër shtëpi. Ndoshta prandaj quhen “të heshtur”. Ata ishin një brez i qetë, që i bindej prindërve më shumë se sa gjeneratat e tjera që erdhën më pas. Megjithëse në këtë brez mund të gjesh njerëz të urtë si Joe Biden, ka edhe ikona seksi si Elvis Presley, që – siç thonë – e kishte shumë frikë babain e vet.

Pas tyre erdhën “baby boomers”, pra gjenerata e fëmijëve të shumtë që lindën pas luftërave botërore, kur popullsia e botës, sidomos ajo e Perëndimit, u pakësua shumë. Ky brez entuziast, që mendoi se luftërat botërore nuk i kishin rregulluar mirë punët e botës, përfshin dy njerëzit që po e lënë krejt botën pa gjumë: Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin.

Ndërsa Gjenerata X (1965–1980) lindi pas ndarjes së Europës mes komunizmit dhe kapitalizmit, por shumë përpara se celularët të ishin pjesë e jetës sonë të përditshme. Ky brez, të cilit i përkas, kaloi gati gjysmën e jetës në komunizëm, jo vetëm pa celularë në xhep, por edhe pa telefona shtëpie, që komunizmi i ndalonte nga frika se këto pajisje përhapnin lajmet e këqija me shpejtësi, duke rritur pesimizmin – karakteristika kryesore e kësaj gjenerate të egër.

Ndërsa Gjenerata Z – e studentëve të sotshëm 20-vjeçarë – ka ardhur në jetë bashkë me Facebook dhe YouTube, që u shpikën në vitin 2005. Kjo gjeneratë, që nuk e kupton se si mund të jetohet pa celular dhe pa laptop, beson se ndërprerja e Instagramit vetëm për një ditë i shkakton botës më shumë trauma se lufta në Ukrainë.

Në përgjithësi, gjeneratat ndahen me 25 vjet nga njëra-tjetra. Në këtë mënyrë, prindërit dhe fëmijët nuk përplasen. Në asnjë rast ata nuk janë pjesë e të njëjtës gjeneratë, sepse fëmijët duhet të rregullojnë atë që prindërit e kanë bërë keq ose nuk e kanë bërë dot fare.

Mirëpo gjeneratat nuk ndahen vetëm nga mosha. Në shumë raste, ato ndahen nga shenja që lënë në histori.

Nëse do përpiqesha të bëja një dallim mes brezave që kanë bërë historinë moderne të Shqipërisë, ato do të ishin tre.

Gjenerata e parë është ajo e Pavarësisë. Për hir të së vërtetës, kjo është një gjeneratë shumë mashkullore, që nuk lejoi asnjë grua të merrte rol në punët e vendit, por që – duke bashkuar një grusht burrash – në vitin 1912 e shpalli Shqipërinë të pavarur nga pushtimi osman që zgjati 500 vjet.

Kjo gjeneratë, në krye të së cilës shkëlqejnë Ismail Qemali dhe Ahmet Zogu, qeverisi për 33 vjet dhe e la Shqipërinë shumë më mirë se ç’e gjeti. Megjithëse në atë kohë mosmarrëveshjet zgjidheshin me armë, ata votonin, organizonin zgjedhje të lira dhe shanin njëri-tjetrin sa të donin nëpër gazetat e ditës. Ata filluan të ndërtonin kapitalizmin duke e tërhequr me qerre nëpër moçalet që mbulonin gjysmën e Shqipërisë – dhe me siguri do t’ia dilnin, nëse fashizmi nuk do t’ua kishte marrë pushtetin për t’ia dhënë komunistëve të gjeneratës tjetër.

Gjenerata e dytë e rëndësishme është ajo e të rinjve që e çliruan Shqipërinë nga nazifashizmi në vitin 1944 dhe që u bënë komunistë. Kjo gjeneratë, që ishte shumë më femërore dhe “seksi” se të gjitha gjeneratat përpara saj – dhe ndoshta prandaj pati pëlqim masiv – mund të quhet Gjenerata Antifashiste.

Me gjithë gabimet që bëri më vonë, duke fshirë pluralizmin, pronën private dhe shtypin e lirë, ky brez e qeverisi Shqipërinë për 45 vjet. Është një debat i madh nëse kjo gjeneratë e la Shqipërinë më mirë apo më keq se ç’e gjeti në vitin 1944.

Unë them se e la më keq. Gjyshërit e mi, që i përkasin këtij brezi, nuk më kundërshtojnë dot sepse nuk janë më. Megjithatë, nëse do t’ia njihja një meritë që shkëlqen, është se ata bënë arsimin dhe universitetet ku studiuan gjeneratat që erdhën pas tyre.

Gjenerata e tretë me ndikim në historinë tonë moderne është ajo e vitit 1990, që mund të quhet Gjenerata e Demokracisë. Ky brez, që nuk njihte as pronën private dhe as lirinë, po e qeveris Shqipërinë prej 35 vitesh.

Kur flas për qeverisje, nuk kam parasysh vetëm drejtimin e shtetit, por të ekonomisë, të kapitalit, të bankave, të tregut, të medias, të artit, të sportit dhe të parasë. Këta njerëz, që sot janë mes 50 dhe 70 vjeç, kanë bërë gjëra që prindërit e tyre nuk dinin t’i bënin – dhe që fëmijët e tyre nuk duhet t’i bëjnë.

Ky brez do ta lërë Shqipërinë shumë më mirë se ç’e gjeti, dhe kjo është medalja e tij më e vlefshme. Për fat të mirë, kjo gjeneratë ka arritur gjithçka në 35 vjet, me përjashtim të një gjëje: ajo nuk di akoma kujt do t’ia lërë Shqipërinë.

Cilit brez? Cilës gjeneratë?

Këto pyetje më shkonin në kokë kur u flisja studentëve 20-vjeçarë, të cilët as vetë nuk e dinin cilës gjenerate i përkasin. Kur i shikoja të ulur duke dëgjuar leksionet e mia për jetën, uroja që të ishin pak më të çmendur.

Kur them “më të çmendur”, kam parasysh njerëz që rebelohen, që organizohen, që ndryshojnë rregullat, që kundërshtojnë, që bëjnë gabime dhe nuk heqin dorë, që mbrojnë mendimet e tyre edhe kur ia fusin kot, që përçmojnë shumicën e gjërave që janë krijuar para tyre, që janë gjithmonë të pakënaqur, që bëjnë aventura, që janë të guximshëm, që arrijnë të kuptojnë çfarë kanë bërë keq prindërit – dhe që në asnjë moment nuk mendojnë se prindërit kanë bërë çdo gjë mirë.

Pakënaqësia

Ben Blushi brez Shqipëria
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Shqipëria dhe Belgjika, platformë të përbashkët digjitale për menaxhimin e emigracionit të paligjshëm

13:22 / February 10, 2026

Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, Rama për prokurorin e Hagës: Çfarë idioti ndërkombëtar

13:17 / February 10, 2026

“5 hapat për ta futur Ukrainën në BE në vitin 2027”, Politico risjell deklaratën e Ramës

11:55 / February 10, 2026

“365 ditë paraburgim pa proces të rregullt”, firma ligjore: Rasti Veliaj, simbol i persekutimit politik në Shqipëri

11:37 / February 10, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.