Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për lëshimin e vërtetimit zyrtar mbi rezultatin elektoral të subjektit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në kërkesë, Shehaj bazohet në nenin 22 dhe 22/1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton rregullat e hollësishme për zyrat qendrore dhe vendore të partive politike.
Dokumenti që kërkohet nga KQZ-ja duhet të përmbajë përqindjen e votave të marra në shkallë kombëtare, numrin e mandateve të fituara në Kuvendin e Shqipërisë dhe çdo të dhënë tjetër zyrtare mbi rezultatin elektoral të subjektit “Partia Mundësia”.
Ky vërtetim shërben për procedurën ligjore të pajisjes së partive parlamentare me seli qendrore dhe zyrat vendore përkatëse, sipas përcaktimeve të ligjit për partitë politike dhe vendimit të Këshillit të Ministrave në fuqi.
