Analisti Berat Buzhala deklaroi se ka vizituar për herë të pestë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, në kuadër të procesit në Gjykatën Speciale.
Në një intervistë përmes Skype në emisionin “Opinion”, Buzhala dha detaje mbi gjendjen e Thaçit, si dhe zhvillimet rreth procesit gjyqësor.
“Jam në Düsseldorf, isha në Hagë dhe tani jam në Gjermani. Është hera e pestë që e vizitoj Hashim Thaçin. Tani vizitat i ka të kushtëzuara”, tha Buzhala.
Sipas tij, Thaçi ndodhet në një gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe është në formë të shkëlqyer fizike.
“Ishte në gjendje të mirë. Më tregoi se kur i bëjnë analizat, organizmin e ka 13 vite më të ri se mosha e tij. Ai nuk pi alkool, nuk pi as duhan”, u shpreh analisti.
Buzhala theksoi gjithashtu se Prokuroria Speciale nuk ka arritur të paraqesë fakte të qëndrueshme, që mund të mbajnë përgjegjës Thaçin dhe komandantët e tjerë, të akuzuar për krime lufte.
“Nuk ka fakt që ngarkon me përgjegjësi Thaçin dhe të tjerët. Ka dështuar Prokuroria. Ka qenë situatë e një lufte guerrile, nuk ka pasur organizim të mirëfilltë”, shtoi ai gjatë intervistës në “Opinion”.
Ai kritikoi edhe qëndrimin e autoriteteve në Kosovë, duke përmendur konkretisht kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë sulmuar drejtësinë në Kosovë dhe nuk kanë folur për Gjykatën Speciale”, tha Buzhala.
Në fund, ai u ndal edhe tek protesta që pritet të zhvillohet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar si një reagim qytetar të rëndësishëm.
“Besoj se protesta në Tiranë për komandantët e UÇK-së do të jetë masive”, deklaroi ai.
