Qeveria ka depozituar për miratim projektligjin amendues të Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, një nga aktet më të rëndësishme të reformës në administratën publike, i cili synon të modernizojë menaxhimin e shërbimit civil në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Ky projektligj është përgatitur nga Departamenti i Administratës Publike (DAP) në bashkëpunim me institucione të tjera, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe ekspertët e OECD/SIGMA dhe EU4GG.
Një ligj i ri për një administratë moderne dhe të hapur
Pas më shumë se një dekade zbatimi të ligjit aktual, qeveria argumenton se koha kërkon një kuadër ligjor më dinamik dhe të përshtatur me realitetet e reja institucionale, tregun e punës dhe zhvillimet teknologjike. Ndryshimet janë ndërtuar mbi bazën e praktikave më të mira evropiane dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian në kuadër të Udhërrëfyesit për Reformën në Administratën Publike 2023–2030.
Sipas vlerësimit të fundit të OECD/SIGMA (Dhjetor 2024), Shqipëria renditet e para në rajon për menaxhimin e shërbimit civil, por nevoja për përditësim ligjor mbetet thelbësore për të ruajtur ritmin e reformës dhe për të përmbushur kriteret e Kapitullit I të negociatave për anëtarësim në BE.
Rekrutimi, modeli i ri i “atestimit kombëtar”
Ndër ndryshimet më të thella është ndryshimi i modelit të pranimit në shërbimin civil. Deri tani, DAP organizonte testime në grup për rekrutimet në nivel hyrës, proces që shpesh vonohej dhe nuk i përgjigjej nevojave reale të institucioneve.
Projektligji parashikon një sistem të ri me dy faza:
1.Provimi i atestimit kombëtar, i zhvilluar nga DAP disa herë në vit, që teston njohuritë bazë të kandidatëve për funksionimin e administratës, kuadrin ligjor dhe aftësitë logjike. Kandidatët që e kalojnë marrin një certifikatë 4-vjeçare, të vlefshme për çdo institucion publik.
2.Faza e dytë, që organizohet nga vetë institucioni me vendin vakant, përfshin testim specifik për pozicionin dhe përzgjedhjen përfundimtare.
Për zbatimin e kësaj procedure, krijohet një Komision Kombëtar i Atestimit me shtatë anëtarë nga qeveria, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe përfaqësues të vetëqeverisjes vendore.
Ky sistem pritet të shkurtojë kohën e rekrutimit, të garantojë transparencë dhe meritokraci, si dhe të unifikojë standardet për të gjithë punonjësit publikë, përfshirë ata që nuk janë pjesë e shërbimit civil por ndjekin Kodit e Punës.
Riorganizimi i Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND)
Një tjetër ndërhyrje madhore është ndryshimi i modelit të TND-së, që përfshin sekretarët e përgjithshëm dhe drejtorët e përgjithshëm të administratës.
Lista aktuale e TND-së, që ka rezultuar jopraktike dhe pa garanci të qarta ligjore, do të shfuqizohet. Në vend të saj parashikohet një sistem i bazuar në mandate 5-vjeçare, me procedura të rekrutimit të hapura, vlerësim të performancës dhe kompensim deri në 12 paga në rast ndërprerjeje të parakohshme.
Kjo reformë synon të kufizojë diskrecionin e eprorëve politikë, të forcojë stabilitetin në karrierë dhe të rrisë përgjegjshmërinë menaxheriale.
Hapja e administratës për profesionistët nga jashtë
Për herë të parë, ligji parashikon një model karriere të hapur: deri në 50% e vendeve vakante mund të plotësohen nga kandidatë jashtë shërbimit civil, përfshirë sektorin privat, akademinë apo organizatat ndërkombëtare.
Ky rregull synon të sjellë frymë të re profesionale, të forcojë konkurrencën dhe të nxisë qarkullimin e ekspertizës ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.
Pagat, performanca dhe shpërblimet
Projektligji sjell ndryshime edhe në strukturën e pagave. Skema e vjetër e “hapave të pagës” do të shfuqizohet, pasi ka rezultuar e paefektshme dhe e kushtueshme për buxhetin.
Në vend të saj, do të aplikohet një sistem shpërblimi për performancë, ku vetëm një përqindje e kufizuar e punonjësve do të përfitojnë shpërblime të veçanta financiare, bazuar në rezultate dhe kontribute konkrete.
Po ashtu, paga do të përfshijë komponentin e vjetërsisë në punë, për të nxitur qëndrueshmërinë dhe përvojën në administratë.
Studentët e ekselencës dhe brezi i ri i administratës
Një risí tjetër është formalizimi në ligj i programit për studentët e ekselencës.
Institucionet publike, përfshirë njësitë e vetëqeverisjes vendore, do të kenë detyrimin të hapin pozicione për studentët më të mirë (me notë mesatare mbi 9), të cilët do të punësohen për një vit me qëllim krijimin e eksperiencës në administratë.
Nëse dëshirojnë të vazhdojnë karrierën publike, ata do të hyjnë në procesin e konkurrimit për nëpunës civil.
Punë hibride dhe mbrojtje ligjore për nëpunësit
Ndryshimet përfshijnë edhe modernizimin e marrëdhënies së punës, duke parashikuar mundësinë e punës hibride dhe telepunës, sipas rregullave të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Një element tjetër i rëndësishëm është garancia ligjore për nëpunësit civilë, që nuk mund të mbahen personalisht përgjegjës në gjykatë për dëmet e shkaktuara gjatë ushtrimit normal të detyrës – përveçse në raste të veprimit personal përtej kompetencave. /ekofin.al
