Bashkitë do të kenë më shumë para në dorë vitin e ardhshëm. Buxheti vendor për 2026 arrin në 97.7 miliardë lekë, me një rritje rreth 9% krahasuar me vitin 2025, duke e çuar peshën në ekonomi në 3.52% të PBB-së. Rritje që vjen si pjesë e decentralizimit financiar dhe rritjes së shërbimeve vendore.
Shtylla kryesore e financimit mbeten transfertat nga qeveria qendrore. Transferta e pakushtëzuar rritet me 1.62 miliardë lekë, ndërsa totali i mbështetjes së drejtpërdrejtë nga buxheti qendror për bashkitë shkon në 58.4 miliardë lekë.
Por si ndahet ky fond mes bashkive?
Lista kryesohet bindshëm nga Tirana, e cila përfiton 11.5 miliardë lekë transfertë të pakushtëzuar për vitin 2026, më shumë se çdo njësi tjetër vendore, duke pasqyruar peshën demografike dhe ekonomike të kryeqytetit.
Pas Tiranës, ndër përfituesit më të mëdhenj janë bashkitë me popullsi dhe territor të gjerë. Shkodra siguron rreth 2.58 miliardë lekë, duke u pozicionuar ndër femeloret e financimit vendor.
Fokusi i buxhetit mbetet ofrimi i shërbimeve të përditshme: pastrim, ndriçim, rrugë lokale, shërbime sociale dhe mjedisore. Ndërkohë, qeveria vendos theks te performanca financiare, duke kushtëzuar mbështetjen me rezultate konkrete në mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e projekteve publike.
Megjithatë, sfida mbetet te bashkitë me të ardhura të ulëta vetjake, që varen më shumë nga transfertat qendrore. Rritja e financimeve shoqërohet me pritshmëri më të larta: më pak burokraci, më shumë investime lokale dhe transparencë më të madhe për qytetarët.
Buxheti lokal për 2026 është më i madh, më i kushtëzuar dhe me fokus te performanca. Tashmë topi mbetet te bashkitë për të kthyer fondet në shërbime konkrete për komunitetin./Klan
