Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, projektbuxhetin për vitin 2026, për Ministrinë e Drejtësisë.
Gjatë mbledhjes në komision u ngrit nga opozita çështja e kompensimit të ish-pronarëve nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi tha se “janë më mijëra e mijëra dosje që mund të trajtohen. Janë me qindra-mijëra persona që i presin ato para”.
Ministri Lamallari nënvizoi se “buxheti i parashikuar është 2,8 miliardë lekë, pjesa më e madhe shkon për kompensimin e ish-pronarëve. Çfarë është me vendim të formës së prerë të gjykatës është e zbatueshme, nuk merret ministri me rastet konkrete”.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ish-ministër i Drejtësisë, propozoi ndryshimin e ligjit të miratuar në vitin 2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave.
Manja theksoi se vendimet gjyqësore të formës së prerë dhe masa e kompensimit me të shlyhet nga fondi i kompensimit.
“Agjencia e Trajtimit të Pronave nuk refuzon të zbatojë vendime të formës së prerë të gjykatave dhe nuk është një rast mund të jenë edhe disa raste të kësaj natyre. Zgjidhja e vetme, ngelet ndryshimi ligjor. Pse? Kompensimi financiar i ish-pronarëve është zë më vete, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë për ish-pronarët është zë më vete, sepse është një e drejtë e fituar nëpërmjet një vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe nuk është për efekt të ligjit të ri të 2015-ës që hyri në fuqi”, tha ai.
Manja nënvizoi se “ne nuk kemi refuzuar t’i zbatojmë këto vendime, por kemi thënë: doni të aplikohet ligji i vitit 2015? Forma e parë e kompensimit është 20/80 pastaj janë dy forma të tjera të kompensimit. Pretendimi i gjyqfituesve është i tillë: ne duam masën e plotë të kompensimit që kemi fituar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Zgjidhja ngelet, të ndërhyjmë tek ligji, dhe të themi të gjitha vendimet gjyqësore të formës së prerë, masa e kompensimit me vendim të formës së prerë, të shlyhet nga fondi i kompensimit. Këtu ligjërisht është në rregull dhe ATP, të cilët nuk mund të shkelin ligjin”.
“Hajde të ndryshojmë një nen të ligjit. Të gjitha vendimet gjyqësore të formës së prerë, masën e kompensimit financiar ta kalojmë nga zëri i kompensimit të vendimeve gjyqësor të formës së prerë, ta kalojmë si zë më vete tek fondi i kompensimit financiar. Duhet ta parashikojmë në ligj, zë më vete të jepet e plotë masa e kompensimit sipas vendimit gjyqësor. Jam pro kësaj gjëje, mbas konsultave edhe me juristë na është thënë se këto të drejta të fituara nëpërmjet vendimeve gjyqësore të adresohen me një ndryshim tek ligji i Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Ta diskutojmë dhe shohim sa është numri i vendimeve”, tha Manja.
