Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Ekonomi

Harta e startup-eve, sa vlerë po krijon në ekonomi

10:18 / November 15, 202512 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
IMG 3813 1
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka hyrë gradualisht në hartën e inovacionit rajonal.

Nga një realitet me pak nisma të izoluara, sot vendi po ndërton një ekosistem gjithnjë e më të ndërlidhur që përfshin startup-e, akseleratorë, investitorë, universitete, kompani private dhe institucione publike.

Harta “Albanian Innovation Ecosystem Atlas”, e bazuar në modelin norvegjez të Tech Startup Flywheel 2024, përpiqet ta vizualizojë këtë ndërthurje përmes një qasjeje që tregon se si bashkëveprojnë hallkat e ndryshme të sistemit.

Në pamje të parë, është një tablo frymëzuese, shumë energji, shumë emra, shumë nisma.

Por në thelb, suksesi i një ekosistemi nuk matet me numrin e logove, por me numrin e bizneseve që mbijetojnë, që eksportojnë, që gjenerojnë fitim dhe që ndikojnë realisht në PBB-në e një vendi.

Në qendër të hartës qëndron bërthama dinamike e startup-eve shqiptare: Baboon, Publer, OpenPay, Neural, TakoDoktor, Bliss, Frut’za, Dialog, Akademi.al, IN ESG, Recycal, eShëndet, OneMore, Aladini apo Nomad Moves.

Këto biznese përfaqësojnë një brez të ri sipërmarrësish që mendojnë ndryshe, që eksperimentojnë me ide dhe teknologji të reja, duke sjellë frymën e “start small, think big”.

Por sfida mbetet në shkallëzimin, sa prej tyre do të arrijnë të dalin jashtë kufijve të Tiranës, të fitojnë tregje rajonale apo ndërkombëtare dhe të kthehen në histori suksesi që frymëzojnë të tjerët?

Rreth startup-eve, harta përfshin strukturat mbështetëse që përpiqen të ushqejnë këtë zhvillim: hapësirat bashkëpunuese, inkubatorët, fondet, universitetet dhe kompanitë e mëdha.

Tirana Hub, Coolab, Innospace, Startup Grind, Geek Room, Digi Diaspora apo Women in Cyber Albania kanë krijuar një kulturë të re, ku idetë lëvizin më lirisht dhe rrjetëzimi bëhet pjesë e gjuhës së përditshme.

Por ende mungon një lidhje më e fortë midis inovacionit dhe tregut, shumë ide janë interesante, por pak prej tyre kanë model biznesi të qëndrueshëm apo ndikim të matshëm ekonomik.

Nga ana tjetër, institucionet publike si Startup Albania, AIDA, AKRI apo AIE po përpiqen të hartojnë politika mbështetëse, shpesh të frymëzuara nga modelet europiane.

Megjithatë, programet shpesh fokusohen më shumë në aktivitete sesa në rezultate. Shqipërisë i mungon ende një strategji kombëtare për inovacion që të masë ndikimin ekonomik, të lidh startup-et me sektorët tradicionalë dhe të krijojë stimuj realë fiskalë për investitorët.

Inkubatorët dhe akseleratorët si Destil, Uplift, Ofiçina, Tirana Inc. apo TechSpace janë kthyer në laboratorë idesh, por shpesh punojnë me projekte shumë të hershme, që nuk arrijnë dot të kalojnë fazën e prototipit.

Rreziku është që ekosistemi të mbetet një “rreth i mbyllur” i disa aktorëve që qarkullojnë fonde dhe mentorime mes tyre, pa gjeneruar një valë reale produktesh konkurruese në treg.

Në anën tjetër, investitorët privatë si BALFIN, Frigo Capital, ADDF, Smile.al apo Zero One Hundred po tregojnë interes të rritur për startup-et, duke hedhur bazat e kapitalit të hershëm (venture capital).

Por shumat janë ende modeste, ndërkohë që shumë prej investimeve bëhen më tepër për eksperiencë, sesa për kthim financiar.

Në mungesë të një tregu aktiv daljesh (exit), investimet në startup-e mbeten të kufizuara dhe shpesh simbolike.

Në këtë tablo, konsulencat ndërkombëtare dhe firmat e mëdha si Deloitte, PwC, EY, Abkons apo DM Consulting kanë sjellë standarde profesionale në menaxhim dhe trajnime, por ndikimi i tyre real në krijimin e inovacionit vendas mbetet i kufizuar, shpesh ndihmojnë më shumë në përgatitjen e dokumenteve dhe raporteve sesa në ngritjen e modeleve konkrete biznesi.

Në fund, janë universitetet dhe korporatat që mund të bëjnë diferencën. Institucionet e arsimit të lartë si Epoka, Polis, UT, TBU dhe SCiDEV po integrojnë programet STEM dhe sipërmarrjen në kurrikula, por lidhja midis kërkimit shkencor dhe tregut mbetet e dobët.

Ndërkohë, kompanitë e mëdha si Vodafone, BALFIN, ONE, TITAN apo Statkraft kanë potencial për të qenë “motorë inovacioni”, por bashkëpunimi i tyre me startup-et është ende sporadik.

Aneida Bajraktari, bashkëthemeluese e Doll’App, një startup që kombinon teknologjinë me artin dhe modën e qëndrueshme, e përshkruan situatën si “një moment tranzicioni”.

“Ka shumë energji, shumë talente dhe dëshirë për të ndërtuar diçka të re, por mungon një sistem që e mbështet në mënyrë të qëndrueshme rritjen.

Ende kemi shumë startup-e që varen nga grantet dhe jo nga klientët, dhe ky është një sinjal që tregon se ekosistemi është në fazë të hershme”, thotë ajo për “Monitor”.

Në të njëjtën linjë, Gerion Treska, themelues i MedApp, startup që po dixhitalizon shërbimet mjekësore, thekson se mungesa e investimeve të qëndrueshme është pengesa kryesore.

“Në Shqipëri ka ide shumë të mira, por mungon kapitali i hershëm. Investitorët shpesh presin që startup-et të jenë tashmë me fitim përpara se të hyjnë. Pa fonde për fazën e rritjes, shumë projekte të vlefshme ngecin në vend”, shprehet ai.

Nga ana tjetër, Ervin Kalemi, themelues i Publer, startup-it që ka fituar njohje ndërkombëtare në menaxhimin e rrjeteve sociale, e sheh sfidën kryesore te shkallëzimi dhe infrastruktura.

“Startup-et shqiptare kanë mësuar të jenë krijuese, fleksibël dhe me kosto të ulët, por për të dalë jashtë, duhet mbështetje konkrete për zgjerim, për infrastrukturë cloud dhe për tregje të reja.

Ne kemi arritur të rritemi përmes punës organike dhe klientëve të huaj, por jo çdo startup mund ta bëjë këtë pa politika që e ndihmojnë procesin”, thotë ai për “Monitor”.

Nëse nuk do të ketë më shumë kapital që merr risk, politika që shpërblen inovacionin dhe një sistem arsimor që prodhon aftësi kërkimore dhe mendim kritik, ky ekosistem rrezikon të mbetet një “ekonomi projektuale”, me shumë energji, por pak ndikim të qëndrueshëm.

Në shumë raste, startup-et shqiptare mbështeten në fonde të huaja apo nisma të përkohshme të donatorëve, çka i bën të cenueshme ndaj cikleve të financimeve dhe mungesës së tregut real vendas.

Pa një treg të brendshëm që i përthith këto produkte dhe pa një politikë fiskale që nxit risinë, rreziku është që inovacioni të mbetet një slogan, jo një strategji zhvillimi.

Shqipëria ka një brez të ri që mendon globalisht, që sheh përtej kufijve dhe kërkon të ndërtojë biznese me ndikim social dhe ekonomik.

Ka ekspertë që duan të kthehen, diaspora po bëhet gjithnjë e më e angazhuar dhe rrjetet e bashkëpunimit po forcohen në mënyrë organike.

Por për t’u bërë vërtet një qendër inovacioni në rajon, vendit i duhet më shumë sesa entuziazëm: i duhet treg, kapital dhe një vizion ekonomik i qëndrueshëm që e sheh teknologjinë jo si “dekor zhvillimi”, por si motor të tij.

Në këtë kuptim, politikat publike duhet të kalojnë nga faza e mbështetjes sporadike në një strategji të integruar kombëtare për inovacionin — që lidh arsimin me industrinë, startup-et me institucionet financiare, dhe kërkimin shkencor me nevojat e tregut.

Një sistem arsimor që nxit eksperimentimin dhe krijimin e zgjidhjeve teknologjike, një treg që shpërblen risitë vendase dhe një klimë investimi që u jep besim investitorëve vendas e të huaj, janë kushtet bazë që mund të kthejnë potencialin aktual në rritje ekonomike reale.

Në përpjekje për të kuptuar më shumë mbi gjendjen aktuale të ekosistemit dhe strategjitë e parashikuara, “Monitor” i kërkoi informacion Agjencisë Start Up Albania, por drejtuesi i saj, Arjan Ymeri, refuzoi për të disatën herë, t’i përgjigjej ftesës për bashkëbisedim.

Pozicionim në rënie

Raporti i vitit 2025 për ekosistemin global të startup-eve, i publikuar nga StartupBlink, ofron një panoramë të gjerë mbi zhvillimin e inovacionit dhe sipërmarrjes në më shumë se 1400 qytete dhe afro 100 vende në mbarë botën, duke renditur dhe duke analizuar forcat, dobësitë dhe mundësitë që çdo vend ofron për ndërtimin e kompanive të reja teknologjike.

Në këtë hartë globale, Shqipëria është përfshirë si pjesë e ekosistemit rajonal të Europës Juglindore, me një pozicion që tregon potencial, por edhe mangësi të theksuara që e pengojnë të ngrihet në nivelet e vendeve fqinje apo të ekonomive të zhvilluara dixhitale.

Raporti shkruan se Shqipëria ka një bazë të re sipërmarrësish të rinj, të motivuar dhe gjithnjë e më të lidhur me trendet ndërkombëtare, të cilët janë të pranishëm kryesisht në fushat e teknologjisë së informacionit, shërbimeve online dhe zhvillimeve kreative.

Kjo energji e re është një nga pikat më të forta të vendit, e ushqyer edhe nga prania e universiteteve dhe programeve që po e kthejnë inovacionin në pjesë të natyrshme të kulturës së biznesit.

Megjithatë, raporti thekson se sfidat mbeten të mëdha: mungesa e qendrave akseleruese, mungesa e mentorimit cilësor dhe qasja e kufizuar në kapital janë pengesa që vazhdojnë të ngadalësojnë rritjen e startup-eve shqiptare.

Në aspektin e financimit, StartupBlink vëren se mungojnë investitorë lokalë aktivë që të ofrojnë kapital për fazat e para të zhvillimit.

Shumica e startup-eve që arrijnë suksesin e parë, ndeshen me vështirësi për të siguruar investime të tipit “seri A” apo “seri B”, duke i shtyrë shpesh themeluesit të kërkojnë mbështetje jashtë vendit.

Kjo situatë i bën projektet e reja më të brishta dhe i kufizon mundësitë për rritje afatgjatë. Nga ana tjetër, investimet e huaja mbeten një burim potencial, por kërkojnë më shumë siguri ligjore dhe struktura mbështetëse për të tërhequr kapital ndërkombëtar.

Sa i përket infrastrukturës, raporti nënvizon se Shqipëria ka bërë përparime në dixhitalizim dhe në shtrirjen e rrjeteve të internetit me shpejtësi të lartë, por mbeten ende zona me vonesa të theksuara, veçanërisht jashtë qendrave urbane.

Kostot operative për kompanitë teknologjike dhe mungesa e qendrave të posaçme për cloud apo menaxhim të dhënash, mbeten pengesa për startup-et që duan të konkurrojnë në tregje më të avancuara.

Nga pikëpamja institucionale, raporti thekson rritje të ndërgjegjësimit nga qeveria dhe strukturat publike për rëndësinë e inovacionit, por gjithsesi politikat mbështetëse mbeten të fragmentuara dhe shpesh të vonuara.

Mungesa e stimujve fiskalë, proceset burokratike për regjistrim dhe leje, si dhe mungesa e një strategjie të përbashkët kombëtare për startup-et, e lënë Shqipërinë në një pozitë ende të brishtë krahas vendeve si Greqia, Serbia apo Kroacia, të cilat kanë arritur të krijojnë struktura më të qëndrueshme për zhvillimin e ekosistemit të tyre.

Raporti sugjeron disa drejtime që mund të përmirësojnë ndjeshëm pozicionin e vendit në vitet e ardhshme.

Krijimi i programeve të qëndrueshme për mentorim dhe trajnime në fazat e hershme të startup-eve do të ndihmonte në forcimin e bazës së inovacionit lokal.

Njëkohësisht, nevojitet krijimi i fondeve publike apo garancive shtetërore që mund të nxisin investitorët privatë të hedhin kapital në projektet e reja.

Një tjetër element kyç është përmirësimi i infrastrukturës dixhitale — nga rrjetet me shpejtësi të lartë deri te qendrat e të dhënave — për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillim.

Raporti nënvizon gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të promovimit të startup-eve shqiptare në panaire, konferenca dhe programe globale të inovacionit.

Partneritetet me ekosisteme të tjera rajonale mund të ndihmojnë në ndarjen e përvojës dhe në krijimin e urave që i japin sipërmarrësve shqiptarë qasje më të lehtë në tregjet e huaja.

Në fund, StartupBlink e përmbyll analizën për Shqipërinë me një mesazh të qartë: potenciali ekziston, por për ta kthyer atë në rritje të qëndrueshme nevojitet një angazhim i bashkërenduar midis qeverisë, sektorit privat, universiteteve dhe komunitetit të startup-eve.

Vetëm nëse këto hallka bashkohen në një strategji të përbashkët, Shqipëria mund të ngjitet realisht në hartën globale të inovacionit.

Fushat

Sipas raportit, disa prej fushave ku startup-et shqiptare po shfaqin potencial të lartë janë fintech, e-commerce dhe retail, transporti dhe logjistika, software & data, si dhe edtech.

Këta sektorë përfaqësojnë zonat me rritjen më të shpejtë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dixhitale.

Fintech mbetet një nga drejtimet më premtuese, pasi gjithnjë e më shumë kompani po përpiqen të ofrojnë zgjidhje pagesash dhe shërbime financiare që lehtësojnë jetën e përditshme të përdoruesve.

Nga ana tjetër, raporti vëren se zhvillimi i tregtisë elektronike dhe shërbimeve logjistike është rritur ndjeshëm pas pandemisë, duke nxitur lindjen e platformave të reja për blerje online dhe shpërndarje produktesh.

Në të njëjtën kohë, startup-et që merren me zhvillim softuerësh dhe menaxhimin e të dhënave po fitojnë terren, pasi kërkesa për zgjidhje dixhitale është në rritje si në sektorin privat, ashtu edhe në institucionet publike.

Në fushën e arsimit, platformat edtech po marrin gjithashtu vëmendje të veçantë.

Këto nisma po përpiqen të përshtatin mësimin dhe trajnimet me nevojat e një tregu pune gjithnjë e më të zhvilluar në teknologji, duke u dhënë të rinjve mundësi të reja për zhvillim profesional.

Raporti e përmbyll vlerësimin për Shqipërinë me një ton optimist: pavarësisht se vendi është ende në fazë ndërtimi të ekosistemit të tij startup, dinamika e viteve të fundit, rritja e interesit për inovacion dhe përpjekjet për të ndërtuar ura bashkëpunimi me tregjet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur.

Me përqendrimin e duhur në financim, infrastrukturë dhe politika publike që e mbështesin sipërmarrjen, ajo mund të forcojë ndjeshëm pozicionin e saj në vitet që vijnë.

Mbështetja

Startup Albania / Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit kanë vënë në dispozicion një fond prej rreth 300 milionë lekësh për vitin 2024/2025 për grante që mbështesin startup-et inovatore.

Kjo skemë parashikon mbulim 100% të kostove për aplikantët në fazën 1, deri në 85% në fazën 2, dhe deri në 75% në fazën 3.

Për faza të ndryshme të zhvillimit të biznesit: Idetë në fazë të hershme, startup-et që tashmë kanë aktivitet mbi një vit, dhe ndërmarrjet e konsoliduara që kërkojnë rritje, përfitojnë shumë graduale nga grantet (p.sh., deri në 9 milionë lekë për ndërmarrje të konsoliduara).

Një tjetër skemë është fondi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja “Start-Up” të Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve në Shqipëri (AIDA), i cili mbulon sipërmarrje mikro dhe të vogla në sektorë të ndryshëm: prodhim, shërbim, turizëm, artizanat, agropërpunim, R&D./Monitor

Ekonomi harta Shqipëri start-up
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Albcontrol, studim fizibiliteti për trafikun ajror në Aeroportin e Kukësit

13:40 / February 10, 2026

Shqipëria dhe Belgjika, platformë të përbashkët digjitale për menaxhimin e emigracionit të paligjshëm

13:22 / February 10, 2026

Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, Rama për prokurorin e Hagës: Çfarë idioti ndërkombëtar

13:17 / February 10, 2026

Si të merrni pronësinë mbi truallin shtetëror që keni në përdorim, njoftimi i rëndësishëm i Kadastrës

12:48 / February 10, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.