Ka nisur ndryshe nga çdo seancë tjetër kjo e sotmja në Parlament. Kreu i Kuvendit Niko Peleshi ka bashkëdrejtuar për disa momente seancën plenare me një nxënëse ekselente të shkollës 9-vjeçare Naim Frashëri, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve( 20 nëntor). Peleshi deklaroi se ky moment,vjen si simbol se çdo vendim që merret në Parlament, ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve.
“Në prag të ditës ndërkombëtarë të të drejtave të fëmijëve, do e nisim seancën disi të pazakontë. Një vajzë e re, ekselente do më bashkohet për disa çaste në drejtim si simbol se çdo vendim që ndërmarrim, çdo debat ndikon në të ardhmen e fëmijëve. Ta mirëpresim Sofinë në bashkëdrejtimin e seancës”, deklaroi Peleshi.
Gjatë fjalës së saj para deputetëve, Sofi Xhafo shprehu emocionet e të qenit në sallën e Kuvendit dhe theksoi rëndësinë e të drejtave të fëmijëve. Ajo njoftoi gjithashtu ngritjen e grupit vullnetar ‘Miqtë e Fëmijëve’, të përbërë nga 24 deputete të Kuvendit të Shqipërisë, i cili do të angazhohet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në vend.
“Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt, të dëgjohen, të shkollohen, të luajnë dhe të rriten me dashuri. Ju lutem, mendoni për ne dhe për të ardhmen tonë, për ëndrrat tona dhe për çdo fëmijë që ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.”, tha ajo.
Në përmbyllje, Kryetari theksoi se angazhimi për fëmijët është një prioritet i pandryshueshëm i Kuvendit të Shqipërisë.
Ky moment i veçantë, i zhvilluar një ditë para 20 nëntorit, nënvizon rëndësinë e forcimit të zërit të fëmijëve dhe të mbrojtjes së të drejtave të tyre në çdo nivel të vendimmarrjes.
