Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës që u shpërnda një ditë më parë, i kushtoi buxhetit të shtetit rreth dy milionë euro vetëm për paga të deputetëve, asistentëve të tyre dhe përtarifat e telefonave. Me gjithë shpenzimet, Kuvendi nuk prodhoi asnjë vendim që nga prilli. E, deputetët e papunë do të vazhdojnë të marrin pagë prej 2 mijë eurosh, për 12 muaj rresht.
Rreth dy milionë euro është kostoja e shpenzimeve që i është shkaktuar buxhetit të shtetit për pagat e deputetëve dhe të asistentëve të tyre, edhe se legjislatura e nëntë e Kuvendit u konstituua e u shpërnda pa prodhuar asnjë rezultat.
Sipas të dhënave të Kuvendit, nga 15 prilli e deri në fund të muajit tetor, vetëm për pagat e ligjvënësve u harxhuan 1 milionë e 371 mijë euro. 571 mijë euro të tjera shkuan në paga për zyrtarët e lartë personalë të deputetëve, që i kanë angazhuar t’u asistojnë në punë, edhe pse s’u doli asnjë detyrë.
“Shuma e përgjithshme e pagave për deputetët e Legjislaturës IX të Kuvendit, për periudhën prill – tetor 2025, është 1371017.46 euro. Shuma e përgjithshme e pagave për stafin mbështetës politik për periudhën prill – tetor 2025 është 571130.78 euro”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Kuvendit për KOHËN.
Kuvendi u shpërnda të enjten e me këtë u ka përfunduar mandati deputetëve. Ata do të marrin pagë edhe për 20 ditët e këtij muaji, kosto e cila nuk është e përfshirë në të dhënat e Kuvendit. E përveç këtyre shpenzimeve, nga maji e deri në nëntor, deputetët harxhuan 15 mijë euro të tjera nga buxheti i shtetit për mbushjet e telefonave të tyre.
“Shuma e përgjithshme e shpenzimeve për mbushje të telefonisë mobile për deputetët e Legjislaturës IX të Kuvendit, për periudhën maj – nëntor 2025 është 15,008.87 euro”, thuhet në njoftim.
Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, shfaq shpresën që një legjislaturë të këtillë Kosova të mos e ketë më.
“Përveç që ishte e dëmshme për buxhetin e Republikës kjo ishte edhe e padobishme në bazë të përgjegjësive që Kushtetuta e Republikës i delegon deputetëve individualisht e po ashtu subjekteve në përgjithësi. Kështu që një legjislaturë e tillë urojmë që të mos përsëritet kurrë”, ka thënë ai.
Përpos këtyre shpenzime që tejkalojnë 2 milionë euro, Ligji për detyrat dhe përgjegjësitë e deputetit parasheh edhe beneficione të tjera për ligjvënësit, përfshirë edhe këta që nuk kryen ndonjë funksion për 7 muaj.
Neni 16 i këtij Ligji parasheh kompensimin kalimtar.
Kjo nënkupton që, që nga dita e përfundimit të mandatit, deputeti merr pagë bazë nga Kuvendi i në vlerë të 1914 eurove për 12 muaj të tjerë. Këtë pagë nuk mund ta marrë nëse hyn në pension apo punësohet diku tjetër.
“Deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, ose nga realizimi i pensionit, që nga dita e përfundimit të mandatit deputeti/ja ka të drejtë në pagë bazë për dymbëdhjetë (12) muaj”, thuhet në nenin 16 të këtij ligji.
Individualisht deputetët e kësaj legjislature do të marrin nga 23 mijë euro në vit po qe se nuk realizojnë të hyra financiare nga ndonjë burim tjetër përgjatë periudhës njëvjeçare.
Nga 15 prilli, ligjvënësit e kanë mbajtur një seancë konstituive, dy për zgjedhjen e Qeverisë dhe një të jashtëzakonshme, por në asnjërën prej tyre nuk kanë marrë vendime.
