Edhe muajt e vjeshtës kanë regjistruar fluks vizitorësh të huaj që kanë hyrë në Shqipëri sipas të dhënave zyrtare.
Referuar INSTAT, mbi 908 mijë turistë kanë vizituar vendin tonë në muajin tetor, duke shënuar rritje me 19,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ndërsa në total, përfshirë edhe hyrjet e shtetasve shqiptarë, gjatë muajit të kaluar janë regjistruar mbi 1.5 milionë hyrje në të gjitha pikat doganore të vendit.
Të ndarë sipas hartës së vizitorëve, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës, ku ajo jugore zë 73% të hyrjeve, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 12%.
Në publikimin e fundit të INSTAT jepen edhe detaje për sa i përket qëllimit të hyrjes së vizitorëve të huaj në Shqipëri, ku 98% e rasteve janë për qëllime turistike ose personale. Ky tregues ka shënuar rritje me 19,7%, krahasuar me tetorin e vitit 2024. Rritje kanë regjistruar edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale me rritje prej 3,8%.
Referuar shifrave zyrtare të INSTAT dhe Ministrisë së Turizmit, në 10 muajt e këtij viti Shqipëria ka mirëpritur mbi 11 milionë e 137 mijë vizitorë të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë 7% më shumë vizitorë nga veriu në jug.
