Lëvizja Vetëvendosje, (LVV), e ka nominuar të mërkurën kreun e partisë, Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kurti, ashtu siç pritej, mori besimin e të gjithë delegatëve të partisë gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm në Prishtinë.
“Atëherë, konstatoj se me votat e të gjithë delegatëve të Lëvizjes, pra unanimisht, miratojmë propozimin që Albin Kurti të jetë kandidati ynë për kryeministër të Kosovës”, tha Arbërie Nagavci, kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Duke folur pas nominimit, Kurti tha se “ndihem i nderuar që edhe një herë më besuat si kandidatin tuaj për kryeministër”.
Ai gjithashtu i kritikoi partitë e tjera në vend për mungesën e gatishmërisë për të bashkëpunuar me partinë e tij pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit.
“Jemi para zgjedhjeve të reja pa vullnetin dhe dëshirën tonë, por si pasojë e refuzimit nga subjektet e tjera për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me neve. Së pari më refuzuan mua e pastaj edhe Glauk Konjufcën”, tha Kurti.
Kurti bëri përpjekje disamuajshe për ta siguruar një mandat të tre në krye të vendit, por as ai e as bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca, nuk e morën mbështetjen e Kuvendit për ta bërë qeverinë e re muajt e fundit.
LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 vende në Kuvend ishin të pamjaftueshme dhe Kurti nuk arriti të gjejë një partner koalicioni, qoftë për ta arritur minimumin e kërkuar prej 61 ulëseve për një qeveri të pakicës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ditë më parë e nominoi kreun e vet Lumir Abdixhiku për kryeministër në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, kishte oferta nga Kurti për të bashkëqeverisur, por ajo vazhdimisht i hodhi poshtë ato.
