Protestat janë mjet demokratik po nuk zëvendësojnë procesin parlamentar është shprehur ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Ai ndodhet për një vizitë në Tiranë edhe si përfaqësues i vendit që mban Presidencën e OSBE-së për këtë vit.
“Protestat janë një mjet demokratik, por ato nuk mund të zëvendësojnë procesin parlamentar dhe debatin në Parlament. Opozita është zgjedhur për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare. Reformat duhet t’i vazhdoni në mënyrë të pakthyeshme dhe duke bërë kujdes të mos dëmtoni rezultatet e deritanishme. Parlamenti është funksional, ka kuorumin kushtetues dhe shumicat e nevojshme për të punuar normalisht dhe për të marrë vendimet e duhura në të mirë të vendit. Shqipëria nuk është një ishull i izoluar, por pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të gjithë partnerët ndërkombëtare e kanë bërë të qartë se askush nuk ka miratuar e nuk miraton veprimet e opozitës kundër sistemit. Asnjë arsye që ngre opozita nuk është argument për të braktisur mandatet dhe detyrimet parlamentare. Të gjithë ju inkurajojmë të ecni përpara dhe do të vazhdoni të kini mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë Lajcak gjatë takimit me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.
Lajcak nënvizoi se në Shqipëri është në vizitë zyrtare në cilësi të trefishtë: si Presidenti i rradhës i OSBE-së; si përfaqësues i një vendi të BE-së dhe si ministër i jashtëm i Republikës së Sllovakisë. Në të tri këto cilësi ai vuri në dukje se “Shqipëria ka bërë hapa të pamohueshëm në reformat integruese dhe për këtë meritoni përgëzime.” dhe shprehu besimin se Shqipëria do të realizojë një Presidencë të suksesshme dhe rezultative të OSBE-së, mbështetur në prioritetet dhe vlerat e organizatës.
Më herët Lajcak u takua edhe me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.