Kandidati i tretë për drejtimin e SPAK, Elvin Gokaj, prezantoi këtë të enjte para Këshillit të Lartë të Prokurorisë platformën e tij, duke vendosur në qendër të saj sigurinë e prokurorëve dhe stafit të strukturës.
Gokaj theksoi se prokurorët e SPAK janë “në vijën bazë” të hetimeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndaj garantimi i mbrojtjes së tyre do të jetë prioritet kryesor në drejtimin e tij.
“Prokurorët janë në vijën bazë të hetimit të krimit të organizuar. Për të siguruar qetësinë e prokurorit dhe familjarëve të tij, unë angazhohem të mbështes stafin për marrjen e të gjitha masave, në mënyrë që stafi të vijojë qetësisht punën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”, tha ai. Sipas Gokajt: “Prokurorët duhet të punojnë të qetë, të mbështetur dhe të mbrojtur në çdo hap të procesit hetimor”.
Gokaj e cilësoi këtë detyrë si një përgjegjësi “përballë Zotit dhe shoqërisë”, duke u zotuar për një SPAK të pavarur, të besueshëm dhe efikas.
“Zotimi im është të konsolidoj një SPAK që vepron shpejt dhe rrit besimin te qytetarët. Ky është angazhimi im solemn dhe vizioni që garantoj për drejtimin e SPAK”, përmbylli ai fjalën e tij.
