Këtë të premte, më 12 dhjetor, pritet të zhvillohet seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Trupa gjykuese pasi të shqyrtojë argumentet mbrojtëse të avokatëve mbrojtës të Veliajt dhe të të akuzuarve të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje dhe do të vendosë nëse çështja kalon ose jo për gjykim.
Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, për këto arsye pritet të jetë një seancë gjyqësore e gjatë.
Sjellim ndërmend se seanca e kaluar u shty për shkak se avokatët nuk kishin bërë gati mbrojtjen për Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe të dyshuarit e tjerë.
Ndërkohë, SPAK, me anë të një reagimi publik më 5 dhjetor 2025, ka deklaruar se procesi gjyqësor është zvarritur për shkak të shtyrjes së tetë seancave, të cilat, sipas institucionit të drejtësisë, janë shkaktuar nga mungesa të pajustifikuara të avokatëve mbrojtës dhe kërkesa të tyre të pabazuara.
Prokuroria e Posaçme theksonte se mbrojtësit e Veliajt kanë marrë kopjen e plotë të akteve hetimore që në datën 24 korrik 2025, fakt i dokumentuar me procesverbal. Po ashtu, në tetor 2025, avokati i zgjedhur ka kërkuar vetë një kopje të akteve shtesë, duke konfirmuar marrjen e materialeve të mëparshme.
Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të tij, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit ka kërkuar këtë të premte pushim të çështjes.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend.
