Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi thotë se vendim i marrë nga Niko Peleshi për mbylljen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, pa një datë për mbledhjen e radhës, është puç ndaj drejtësisë. Në mbledhjen e sotme po diskutohej mbi imunitetin e Belinda Ballukut, kërkesë kjo e SPAK që i hap rrugë arrestimit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëkohësisht zëvendës kryeministres.
Postimi i plotë
Mazhoranca, me në krye Kryetarin e Kuvendit dhe me Kryeministrin si dirigjent, po kryen një puç ndaj drejtësisë! Kryetari i Kuvendit mbylli mbledhjen pa caktuar një datë të re. Kjo nuk është lajthitje, por zvarritje e qëllimshme, me synim që të vazhdojë intimidimi i dëshmitarëve.
Mazhoranca kishte propozuar më herët një afat prej një muaji për seancën e radhës. Ne, si anëtarë të opozitës, kërkuam që mbledhja të zhvillohej ditën e hënë, më 22 dhjetor 2025, duke kërkuar 48 orë kohë për t’u njohur me provat që vetëm sot na u vunë në dispozicion.
Prokuroria kërkoi shtyrjen me 3 ditë, por gjithsesi jo më shumë se 5 ditë, për shkak të rrezikut që ekziston për intimidimin e dëshmitarëve dhe prishjen e provave. Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë! Edi Rama ka vendosur të mbrojë veten dhe Belinda Ballukun nga drejtësia dhe nga përgjegjësia për korrupsion!
