Ditën e djeshme, opozita me në krye Sali Berishën mbajtën protestën kombëtare të paralajmëruar ditë më parë, në bulevardin para Kryeministrisë.
Duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protesta kombëtare u mbyll me tensione dhe incidente fill pas fjalës që mbajti kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Protestuesit u përplasën me zinxhirin e forcave të policisë dhe hodhën në molotov para derës së Kryeministrisë. Megjithatë kjo për pak rezultoi fatale për një prej protestuesve, i cili u përfshi nga flakët e molotovit. Pamjet e të cilave bënë xhiron e rrjetit në Shqipëri, por edhe jashtë.
Reuters, ka ndarë pamjet e protestuesit, trupi i të cilit është përfshirë nga flakët. Teksa në artikull shkruan më tej për motivet e protestës, çështjen e korrupsionit në Shqipëri, dhe aksionet e SPAK dhe sistemit të drejtësisë.
“Tensionet politike në Shqipëri janë rritur ndjeshëm javët e fundit, pas akuzave të ngritura ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo, së bashku me disa zyrtarë dhe kompani private, dyshohet se ka përdorur fonde shtetërore për të favorizuar kompani të caktuara në projekte të mëdha infrastrukturore.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar këtë javë nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut dhe lejimin e arrestimit të saj. Ende nuk dihet se kur pritet të zhvillohet votimi në parlament, ku Partia Socialiste e kryeministrit Rama mban shumicën”,shkruan Reuters.
