Deklarata e presidentit amerikan Donald Trump për një “kornizë të një marrëveshjeje të ardhshme” mbi Groenlandën, pas javësh kërcënimesh në rritje, është pritur me skepticizëm të thellë nga banorë dhe përfaqësues politikë të territorit arktik. Megjithatë, tregjet financiare reaguan pozitivisht dhe disa liderë europianë e përshëndetën tërheqjen e Trump nga kërcënimi për tarifa të reja.
Vetëm disa orë pasi Trump, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, këmbënguli se dëshironte Groenlandën “me të drejtë, titull dhe pronësi”, duke u distancuar nga kërcënimet për ndërhyrje ushtarake, ai njoftoi në rrjetet sociale se ishte arritur “korniza e një marrëveshjeje të ardhshme për Groenlandën”. Njëkohësisht, ai hoqi dorë nga vendosja e tarifave ndaj tetë vendeve europiane. Më vonë, në një intervistë për CNBC, e quajti këtë vetëm “një koncept marrëveshjeje”.
“Dita përfundoi më mirë se sa nisi”, deklaroi ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen. Ai shtoi se tani duhet dialog për të adresuar shqetësimet e sigurisë së SHBA-ve në Arktik, duke respektuar “vijat e kuqe” të Mbretërisë së Danimarkës.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e mirëpriti vendimin e Trump, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili negocioi marrëveshjen me Trump, paralajmëroi se “ka ende shumë punë për t’u bërë”. I pyetur nga Fox News nëse Groenlanda do të mbetej pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, Rutte tha se kjo çështje nuk ishte diskutuar. Një zëdhënës i NATO-s sqaroi më pas se Rutte nuk kishte propozuar asnjë kompromis mbi sovranitetin e Groenlandës.
Trump nuk dha detaje të tjera konkrete, por konfirmoi se bisedimet po vazhdojnë për një sistem amerikan të mbrojtjes raketore, pjesërisht i bazuar në Groenlandë.
Në Danimarkë, reagimet ishin të ashpra. Deputetja Sascha Faxe kritikoi përjashtimin e Groenlandës nga negociatat. “Nuk janë negociata reale; janë dy burra që kanë bërë një bisedë. Nuk mund të ketë marrëveshje pa Groenlandën”,tha ajo për Sky News.
Sipas raportimeve mediatike, kompromisi mund t’i japë SHBA-ve sovranitet mbi zona të vogla të Groenlandës ku ndodhen baza ushtarake, të krahasueshme me bazat britanike në Qipro. SHBA-të tashmë kanĽ akses të gjerë në territor dhe, sipas marrëveshjeve ekzistuese, mund ta zgjerojë atë me ndërtimin e bazave dhe aktivitete ushtarake. Gjithashtu, marrëveshja mund t’i lejojë SHBA-ve të nxjerrë minerale të rralla pa miratimin e Danimarkës.
Ende nuk është e qartë nëse Danimarka e ka pranuar këtë kornizë. Deputetja groenlandeze në parlamentin danez, Aaja Chemnitz Larsen, deklaroi se ideja që NATO të vendosë për sovranitetin apo mineralet e Groenlandës është “krejtësisht e papranueshme”.
Tensionet e ditëve të fundit, të cilat shënuan një nga krizat më të thella transatlantike në dekada, u reflektuan edhe në tregje. Pas komenteve më agresive të Trump, bursat amerikane pësuan rënie, por u rimëkëmbën pasi ai u tërhoq nga kërcënimi për përdorimin e forcës dhe tarifat. “Tregu u qetësua sapo ai tha se nuk do të përdorte forcë”, thanë analistë financiarë.
Në Groenlandë, reagimi ishte kryesisht mosbesues. “Ai po gënjen”, tha një banor i Nuuk për AFP. Një tjetër qytetare u shpreh qartë: “Groenlanda u përket groenlandezëve”.
