Djemtë e moshës 13-vjeçare në Shqipëri janë përfshirë për herë të parë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane).
Që në ditët e para të këtij viti, ka nisur aplikimi i vaksinës kundër HPV-së te djemtë e moshës 13 vjeç, si një hap i rëndësishëm në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përcolli sot mesazhin e dr. Rovena Dajës, drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP).
Sipas MShMS-së, “HPV nuk prek vetëm vajzat. Përvoja ndërkombëtare tregon se vaksinimi i të dyja gjinive çon në më pak infeksione dhe hedh bazat për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës”.
“Kur djemtë vaksinohen, ulet ndjeshëm përhapja e HPV, reduktohet transmetimi i virusit te partnerët dhe forcohet imuniteti i popullatës, duke mbrojtur edhe ata që nuk janë vaksinuar”, thuhet në apelin e MShMS-së.
Gjithashtu, Daja shprehet se “HPV është një infeksion viral që mund të shkaktojë sëmundje, lezione prekanceroze, madje në të ardhmen mund të shkojë deri në kancer, jo vetëm te vajzat, por edhe te djemtë”.
“Për shkak të këtij efekti kemi një vaksinë që mund të na mbrojë vajzat dhe djemtë. Prej nëntorit të vitit 2022, në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit aplikohet te vajzat 13 vjeç. Aktualisht, që në ditët e para të janarit 2026, kjo vaksinë aplikohet edhe te djemtë 13 vjeç”, tha Daja, ndërsa përsëriti apelin për prindërit që të vaksinojnë djemtë dhe vajzat e moshës 13 vjeç, sipas kalendarit të vaksinimit.
“Vaksina aplikohet falas në të gjitha qendrat shëndetësore. Një hap i vogël sot, një hap i madh për të ardhmen”, përfundoi Daja.
Nga të dhënat zyrtare të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh), gjatë vitit 2025 janë kryer në të gjithë vendin rreth 9363 vaksina HPV te vajzat, ndërsa nga muaji janar i këtij viti për herë të parë ka nisur vaksinimi edhe te djemtë.
