Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke i dhënë fund bashkëpunimit me agjencinë e OKB-së dhe duke ndërprerë financimin e saj.
Vendimi u formalizua pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Donald Trump një vit më parë, me të cilin OBSH-ja u akuzua se ishte “tepër e orientuar nga Kina” gjatë pandemisë së Covid-19.
Departamenti Amerikan i Shëndetësisë deklaroi se tërheqja vjen si pasojë e asaj që e cilësoi si keqmenaxhim të pandemisë, mungesë reformash dhe ndikim politik nga shtetet anëtare.
OBSH-ja i ka hedhur poshtë akuzat. Drejtori i përgjithshëm i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se largimi i SHBA-së përbën një humbje globale, duke theksuar rolin e organizatës në luftën kundër poliomielitit, HIV/AIDS-it, uljen e vdekshmërisë amtare dhe kontrollin e duhanit.
SHBA-ja, një nga donatorët më të mëdhenj të OBSH-së, nuk ka paguar kuotat për vitet 2024 dhe 2025, duke shkaktuar shkurtime të mëdha të vendeve të punës në organizatë. Detyrimet e prapambetura të Uashingtonit vlerësohen rreth 260 milionë dollarë, por autoritetet amerikane kanë deklaruar se nuk do t’i shlyejnë.
Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë, të gjitha fondet për OBSH-në janë ndërprerë, personeli amerikan është tërhequr nga Gjeneva dhe zyrat e tjera ndërkombëtare, ndërsa qindra programe bashkëpunimi janë pezulluar.
Në një deklaratë të përbashkët, Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio thanë se OBSH-ja “ka vepruar vazhdimisht kundër interesave të SHBA-së” dhe ka braktisur misionin e saj themelor.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se si SHBA-ja do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar për mbikëqyrjen e sëmundjeve, zhvillimin e vaksinave dhe luftën kundër gripit sezonal, poliomielitit dhe HIV-it. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se do të mbështeten në marrëveshje dypalëshe dhe bashkëpunim me organizata joqeveritare.
Pas nënshkrimit të urdhrit për tërheqje, OBSH-ja deklaroi se shpreson që SHBA-ja të rishqyrtojë vendimin, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy palëve ka shpëtuar jetë të panumërta dhe ka kontribuar në mbrojtjen e shëndetit global.
