Porti i Durrësit ka përmbyllur vitin 2025 me tregues pozitivë në drejtim të përpunimit të mallrave dhe lëvizjes detare, duke konfirmuar rolin e tij si nyja kryesore e tregtisë detare në Shqipëri dhe një faktor i rëndësishëm për ekonominë kombëtare.
Autoriteti Portual Durrës informoi sot “se gjatë vitit 2025, në katër terminalet e portit janë përpunuar gjithsej 3,8 milionë tonë mallra, ose 6,3% më shumë se gjatë vitit 2024, nga të cilat 2,8 milionë tonë importe dhe 1 milion tonë eksporte”.
Struktura e këtij volumi reflekton nevojat e ekonomisë vendase për furnizim të qëndrueshëm me lëndë të para dhe mallra konsumi, si dhe rolin e portit në mbështetjen e aktivitetit eksportues.
Në aspektin e lëvizjes detare, gjatë vitit 2025 janë përpunuar në total 1506 anije. Ky tregues pasqyron intensifikimin e aktivitetit portual dhe besimin e shtuar të operatorëve dhe linjave detare ndaj Portit të Durrësit.
Të dhënat tregojnë se porti ka ruajtur një nivel të qëndrueshëm operimi, duke përballuar flukse të konsiderueshme mallrash dhe mjetesh lundruese, si dhe duke garantuar vijueshmëri në shërbimet portuale.
Performanca e vitit 2025 krijon një bazë të qëdrueshme për zhvillime të mëtejshme, në drejtim të rritjes së eficiencës operacionale, modernizimit të proceseve dhe forcimit të rolit të Portit të Durrësit në tregtinë detare rajonale dhe ndërkombëtare.
