Çmimi i arit ka tejkaluar për herë të parë nivelin prej 5 mijë dollarësh amerikanë për ons, ndërsa politikat e paparashikueshme dhe deklaratat kontradiktore të Donald Trump kanë shtyrë gjithnjë e më shumë investitorë drejt aseteve të sigurta.
Sipas të dhënave të Bloomberg, metali i çmuar u rrit me 1.8% të hënën, duke arritur në 5 mijë e 78 dollarë për ons. Ky zhvillim historik vjen në një moment tensioni të shtuar politik dhe ekonomik, pasi Trump kërcënoi Kanadanë me tarifa 100% nëse “arrin një marrëveshje me Kinën”, si edhe pas përplasjes së fortë me Evropën lidhur me të ardhmen e Grenlandës.
Ndërkohë, tregjet financiare globale janë tashmë të tronditura nga frika për një tjetër bllokim të qeverisë amerikane, pasi demokratët kërcënuan të ndërpresin financimin për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, pas vrasjes së një burri në Minneapolis nga agjentë federalë të imigracionit gjatë fundjavës.
Rritja e së hënës është episodi më i fundit në një ecuri të jashtëzakonshme të arit, i cili ka shënuar një rritje prej afro 90% që nga inaugurimi i Trump më shumë se një vit më parë.
Steve Miller, këshilltar për strategji investimesh në kompaninë australiane të menaxhimit të aseteve GSFM, tha se nuk kishte parë diçka të ngjashme gjatë katër dekadave të tij në tregjet financiare.
“Shoku i dytë i naftës dhe frika nga inflacioni në fund të viteve ’70 dhe fillim të ’80-ave janë herët e fundit që më kujtohet një situatë e tillë për arin dhe kjo ndodhi para se unë të hyja në tregjet financiare”, u shpreh ai.
Miller, ish-drejtor i sektorit të të ardhurave fikse në gjigantin e investimeve BlackRock, theksoi se rritja e fundit e arit lidhet me shqetësimet se administrata Trump mund të ndërmarrë hapa për të dobësuar dollarin amerikan, monedhën më të rëndësishme në botë.
Sipas tij, një faktor shtesë që nxiti rritjen e çmimit ishte edhe informacioni se Rezerva Federale e SHBA-së kishte kontaktuar bankat për të monitoruar kursin e këmbimit mes dollarit amerikan dhe jenit japonez, i cili është në rënie.
“Nëse Rezerva Federale po e bën këtë në emër të Thesarit amerikan, ka vetëm një arsye: ata mendojnë se dollari amerikan është shumë i fortë”, tha Miller.
Zëra të rëndësishëm brenda administratës amerikane kanë sinjalizuar prej kohësh se preferojnë një dollar më të dobët, me synimin për të ringjallur prodhimin vendas.
Dobësimi i dollarit do të ulte vlerën e aseteve kryesore amerikane, si obligacionet e thesarit, duke rritur më tej tërheqjen e arit si mjet ruajtjeje vlere. Ky proces, i njohur si “tregtia e zhvlerësimit”, mbart gjithashtu një dimension më dramatik.
Disa analistë kanë paralajmëruar për borxhin dhe deficitin në rritje të SHBA-së, të cilat mund të shkaktojnë tronditje më të mëdha në tregjet globale nëse investitorët humbasin besimin te monedha rezervë botërore.
Megjithatë, Miller shprehu skepticizëm ndaj këtij skenari ekstrem.
Sidoqoftë, ai vlerëson se ari do të mbetet i kërkuar si instrument diversifikimi dhe sigurie për aq kohë sa pasiguria të dominojë tregjet financiare globale.
“Mendoj se ka ende hapësirë për rritje të mëtejshme”, tha Miller. “Por po aq e rëndësishme është se ari mund të shërbejë si mbrojtje nga trazirat në klasat e tjera të aseteve.”
