Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se procesi i hartimit të projektligjit për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet ka përfunduar fazën e konsultimeve dhe pritet që shumë shpejt të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e Administratës Tatimore, Ilir Binaj, ministri Malaj bëri të ditur se projektligji është konsultuar me palët e interesuara, me palët e treta, si dhe brenda kabinetit qeveritar. Pas miratimit në Këshillin e Ministrave, ai do të ndjekë procedurat e mëtejshme në komisionet parlamentare dhe në Kuvend.
Sa i përket primit të sigurimit, Malaj theksoi se ai do të jetë i përballueshëm për qytetarët shqiptarë. Sipas tij, projektligji parashikon që familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike ose që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar primin, do të subvencionohen nga shteti.
Ministri nënvizoi se sigurimi i detyrueshëm i pronave nga tërmetet do të menaxhohet nga shteti, përmes një shoqërie ku aksioner do të jetë shteti, kompani e cila do të administrojë primin e detyrueshëm për sigurimin nga tërmetet.
Në lidhje me fatkeqësitë e tjera natyrore, si zjarret dhe përmbytjet, Malaj sqaroi se ato nuk janë përfshirë në këtë projektligj.
Megjithatë, për çështjen e përmbytjeve është parashikuar mundësia e rregullimit përmes akteve nënligjore, ndërsa ligji aktual fokusohet vetëm në sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet.
Për fatkeqësitë e tjera natyrore, ministri theksoi se nevojitet një vlerësim dhe analizë risku sipas zonave, pasi nuk mund të vendoset një sigurim i detyrueshëm për përmbytje apo zjarre në zona që nuk preken nga këto fenomene.
Sa i përket llogaritjes së dëmeve nga përmbytjet e dhjetorit të vitit që lamë pas, Malaj informoi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me pushtetin vendor, po kryen vlerësimet përkatëse për të përcaktuar vlerën përfundimtare të dëmeve që do të kompensohen nga shteti për tokat e përmbytura.
