Italia ka parandaluar një seri sulmesh kibernetike ruse që kishin në shënjestër faqe të lidhura me Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, njoftoi sot ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, dy ditë para ceremonisë së hapjes.
“Ne kemi zmbrapsur një sulm kibernetik që synonte disa faqe të Ministrisë së Punëve të Jashtme duke filluar nga ajo në Uashington si edhe disa struktura të lidhura me Lojërat Olimpike Milano-Cortina, përfshirë hotele në zonën e Cortina d’Ampezzo”, deklaroi Tajani, i cituar nga media.
“Sipas të gjitha të dhënave, bëhet fjalë për veprime me origjinë ruse”, shtoi ai.
Që prej 26 janarit, njësi të specializuara të policisë italiane për sigurinë kibernetike janë angazhuar në monitorimin e pikave kryesore të lidhura me këtë ngjarje sportive, e cila përfundon më 22 shkurt, sipas një njoftimi zyrtar.
Ndërhyrjet e tyre synojnë mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe mbikëqyrjen e rrjetit, si për arsye të rendit publik ashtu edhe për parandalimin e kërcënimeve të mundshme terroriste.
Gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024, Agjencia Kombëtare për Sigurinë e Sistemeve të Informacionit (ANSSI) raportoi 141 “ngjarje të sigurisë kibernetike” të lidhura me Olimpiadën, pa asnjë ndikim në mbarëvajtjen e garave.
Rusia, një fuqi tradicionale olimpike, do të përfaqësohet në Milano-Cortina me vetëm 13 sportistë, të cilët do të garojnë nën flamur neutral. Kjo masë është vendosur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, disa javë pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit në vitin 2022.
