Të ftuar në emisionin e parë të emisionit “Çim Peka Live” në Syri Tv janë dy gazetarët e njohur Sokol Balla dhe Blendi Fevziu. Të pyetur për krizën politike në vend dhe mospërfshirjen e ndërkombëtarëve të dy gazetarët kanë pasur mendime të ndryshme.
Fevziu u shpreh se ndërkombëtarëve u ka ardhur në majë të hundës ndaj politikës shqiptarë, ndaj edhe ka vendosur që të mos ndërhyjë dhe ta zgjidhin vetë situatën ku janë futur.
“Nëse zgjidhja gjendet midis forcave politike ndërkombëtarët janë dakord ta mirëpresin. Se çfarë thotë ndërkombëtarët underground është gjë tjetër. Ndërkombëtarë e kanë lënë krizën të zgjidhet në Shqipëri.
Ndërkombëtarët kanë pas raste kur kanë dështuar si në rastin e UÇK-së në Maqedoni, ku i quajti edhe terroristë, kur UÇK rrethoi Haraçinaj, negociuan dhe e futën në politikë. Qëndrimi i ndërkombëtarëve është në raport me zhvillimet. Nëse opozita mbush sheshet, atëherë ajo merr tjetër vëmendje”, deklaroi Fevziu.
Ndërsa gazetari Sokol Balla edhe pse e quajti parodi vajtjen në zgjedhje të vetme të maxhorancës, tha se janë ndërkombëtarët ata që sipas tij nuk kanë pranuar të shtyhen zgjedhjet.
“Ndërkombëtarët nuk kanë pranuar asnjë përpjekje për të shtyrë zgjedhjet. Në këtë vend ka rënë çatia, kanë rënë muret, por nuk kanë rënë themelet. Rama ka kërkuar të shtyhen zgjedhjet, por ndërkombëtarët kanë thënë jo”, tha Balla.