Toyota, prodhuesi më i madh i automjeteve në botë, njoftoi të premten se drejtori ekzekutiv Koji Sato do të japë dorëheqjen pas vetëm tre vitesh në krye të kompanisë, për t’u zëvendësuar nga drejtori financiar Kenta Kon.
Ky ndryshim në menaxhim, ku Sato do të marrë rolin e nënkryetarit dhe drejtorit kryesor për industrinë, vjen ndërsa kompania është nën presion për blerjen e planifikuar të filialit Toyota Industries, një marrëveshje që investitorët minoritarë kanë kritikuar si jo transparente dhe me çmim të ulët.
Ndryshimi i menaxhimit nuk pritej. Toyota e bëri njoftimin paralel me publikimin e fitimeve të tremujorit të tretë, ku rriti parashikimin për fitimin vjetor me gati 12%, ndihmuar nga dobësimi i jenit dhe masat e kursimit të kostove.
Sato do të mbajë një konferencë për shtyp këtë të premte lidhur me këto ndyshime.
Reuters shkruan se në rolet e reja, Kon do të fokusohet në menaxhimin e brendshëm të kompanisë, ndërsa Sato do të merret me industrinë më gjerë, tha kompania në një deklaratë. Ndryshimi synon të përshpejtojë marrjen e vendimeve në përgjigje të tronditjeve të mëdha që po përfshijnë industrinë, tha prodhuesi i automjeteve.
“Duket sikur ka një ndryshim regjimi brenda Toyota-s,” tha James Hong, kreu i kërkimeve mbi mobilitetin në Macquarie. Ai shtoi se ndërsa produkti ka qenë gjithmonë prioriteti kryesor për Toyota, tani do të ketë shumë më tepër vendime për t’u marrë rreth bizneseve jo-automobilistike.
Sato mori drejtimin e kompanisë nga Akio Toyoda, nipi i themeluesit, në prill të vitit 2023, në një kohë kur Toyota ishte nën presion të madh për qasjen e ngadaltë ndaj automjeteve elektrike me bateri.
Basti i kundërt i kompanisë mbi hibridet benzinë-elektrik ka rezultuar i mençur dhe ka ndihmuar në mbështetjen e viteve me shitje rekord, përfshirë vitin e kaluar kur Toyota ruajti titullin si shitësi më i madh në botë.
Gjatë mandatit të Sato-s, aksionet e Toyota-s u rritën me 111%, përfshirë dividentët, duke tejkaluar dyfishimin e indeksit Nikkei në të njëjtën periudhë.
Megjithatë, Toyota humbi edhe një pjesë të tregut gjatë asaj kohe ndaj rivalëve më të shpejtë kinezë si BYD në rajone si Azia Juglindore. Kompania është përballur gjithashtu me kritika mbi qeverisjen, së fundmi rreth blerjes së Toyota Industries. Kon shihet si “truri” pas kësaj blerjeje.
“Kon, mendoj se ka më shumë përvojë në trajtimin e çështjeve financiare të kompanisë sesa Sato-san, i cili në thelb vinte nga ana e zhvillimit të produktit,”shtoi Hong.
