Më 7 korrik, drejtësia franceze pritet të marrë një vendim kyç për të ardhmen politike të Marine Le Pen, një vendim që mund të ndikojë edhe në skenën politike të Francës. Gjykata do të shqyrtojë ankesën e lideres së ekstremit të djathtë lidhur me çështjen e përvetësimit të fondeve, ndërsa vendimi do të përcaktojë nëse ajo mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Nëse Gjykata e Apelit në Paris lë në fuqi dënimin e dhënë vitin e kaluar – i cili përfshin, mes të tjerash, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vite – Le Pen nuk do të mund të garojë për postin e presidentes. Një skenar i tillë shihet si i favorshëm për kampin e presidentit Emmanuel Macron, pasi Le Pen pritet të zëvendësohet nga i mbrojturi i saj dhe kreu aktual i partisë, 30-vjeçari Jordan Bardella.
Avokatët e Le Pen kanë këmbëngulur në Gjykatën e Apelit se ajo është e pafajshme ndaj akuzave për përvetësim të fondeve të Parlamentit Europian, të vlerësuara në 4.8 milionë euro.
57-vjeçarja ka mohuar se ka organizuar një skemë për krijimin e vendeve fiktive të punës me qëllim përvetësimin e fondeve. Ajo deklaroi para gjykatës se kontratat e asistentëve të Parlamentit Europian kanë qenë transparente dhe se “nuk kemi ndjesinë se kemi kryer as krimin më të vogël”.
