Kishte paralajmëruar se bisedimet me partitë opozitare për të arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit do t’i niste qysh të premten, por këtë e ka shtyrë pas kthimit nga Mynihu.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë, në radhë është zgjedhja e presidentit të ri, proces i cili duhet të përfundojë më së largu deri më 5 mars. Por a do të jenë të suksesshme këto negociata?
Negociatat që të jenë të suksesshme do të varen kryesisht nga mënyra se si kryeministri Kurti, i cili ka shumicën parlamentare, do t’u qaset partive opozitare, si dhe nga forma dhe kandidati që ai do të propozojë.
Presidentja Vjosa Osmani, e cila anuloi pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih për shkak të zhvillimeve politike në vend, qysh para zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka shfaqur ambiciet për të vazhduar edhe një mandat në postin e presidentes. Pas zgjedhjeve, kryeministri Kurti nuk ka dhënë asnjë shenjë se e përkrah Osmanin, por deri më tash nuk ka përmendur as emra të tjerë të mundshëm.
Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk e kanë përmendur asnjë emër si kandidat të mundshëm; ata vazhdimisht kanë theksuar se duan paraprakisht marrëveshje politike.
Sipas Kushtetutës, duhet të jenë së paku dy kandidatë, më së shumti katër, që garojnë për postin e presidentit. Për të shpallur kandidaturën për president, kandidati duhet të ketë së paku 30 nënshkrime të deputetëve. Nëse nuk zgjidhet çështja deri më 4 mars, atëherë më 5 mars vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
