Në seancën e sotme plenare po zhvillohet interpelanca e kërkuar me ministren për Ekonominë dhe Inovacionin Delina Ibrahimaj, nga kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj, lidhur me projektin “Durana Park”.
Në këtë seancë, Shehaj fillimisht u ankua pse ishte Ibrahimaj në këtë interpelancë dhe jo ministri i Financave Petrit Malaj. Megjithatë vazhdoi të ngrinte akuza lidhur me çështjen e projektit të “Durana Park”, duke thënë se dy të tretat e bizneseve që kanë aplikuar ishin të të njëjtit biznesmen.
Fillimisht Ibrahimaj i sqaroi Shehaj se përse ishte ajo në interpelancë dhe jo ministri Malaj: “Dua t’i them z.Shehaj se ky është një projekt që prek zhvillimin ekonomik dhe kjo është arsyeja pse interpelancën po e bëj unë dhe jo ministri i financave. Në masë ky projekt lidhet me zhvillimin e ekonomik. U bëtë 5 vjet deputet, duhet ti kishit këto gjëra të qarta. Nuk janë të qarta. Mu desh të ndaloja këtu për ta shpjeguar. Duhet t’i keni parasysh fushat e përgjegjësisë së ministrave.”
Më pas ministrja Ibrahimaj sqaroi se çfarë ishte projekti “Durana Park”, duke theksuar se fokusi është tërheqja e investimeve të huaja dhe zhvillimi i bizneseve shqiptare.
“Më lejoni tju shpjegoj çfarë është Durana dhe si ka lindur Durana dhe çfarë bëjnë parqet teknologjike. Unë kam pasur rastin të jem pjesë e ideimit të këtij projekti që në krye të herës. Është një projekt i miratuar me ligj në vitin 2022. Objektivi në atë kohë, ishte shumë e qartë, që të krijonim një zonë të lirë ekonomike si çdo zonë, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, zhvillimin e investimeve vendase, në fushën e teknologjisë dhe të inovacionit e informacionit. Ligji i hapi rrugën krijimit të parkut si një mundësi për të pasur më shumë punë të mirëpaguara, si një mundësi për inovacion, si një mundësi që nxit zhvillimin ekonomik sepse jemi shumë të qartë për ndryshimin e zhvillimit ekonomik. Mund të flasim gjithë ditën e natën për këtë. Kjo ka qenë arsyeja dhe motivi pse ne paraqitëm në këtë kuvend dhe miratuam projektligjin për funksionimin e parqeve teknologjike dhe ligjore.”, tha Ibrahimaj.
Më pas ministrja shtoi se parqet teknologjike nuk janë “shpikje shqiptare” dhe përmendi si shembull rastin e Moldavisë, ku projekte të tilla kanë sjellë investime të huaja direkte.
Më pas, Ibrahimaj iu përgjigj akuzave të Shehajt lidhur me bizneset e regjistruara.
“Janë 80 rezidentë sot, ku 57 prej tyre kanë kontrata të finalizuara dhe janë rezidentë dhe pjesa tjetër është në proces të avancuar. Pra i është miratuar rezidenca, me qëllim të fillojnë të operonë në Durana. Ndërkohë nga këto 52 subjekte janë me kapital të huaj dhe 48 me kapital shqiptar. Kjo është një përbërje domethënëse, sepse tregon njëkohësisht interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e ndërmarrjes vendase. Tani dua që të ndaloj pak tek tymnaja e krijuar për parajsën fiskale, për evazionet, për gjithçka tjetër që është folur nga ju dhe të tjerët në media.
Parajsa fiskale ka disa komonentë, janë katër. Parajsë fiskale konsiderohet një hapësirë gjeografike, shtete apo qytete, të cilat kanë taksa të ulëta apo zero, kanë një mungesë transparence mbi bizneset që regjistrohen por mbi të gjitha me pronarët që regjistrohen, ka mungesë kontrollesh tatimore dhe legjislacion fleksibël për parandalimin e pastrimit të parave. Tani më thoni ju, ku hyn Durana këtu?
Durana ka një procedurë standarde dhe shumë të dokumentuar për regjistrimin e përdoruesve. Të gjitha subjektet e regjistruara në Durana, janë të gjitha në QKB dhe deklarojnë pronarin përfitues dhe kanë detyrim për këtë. Janë subjekte që nuk anashkalojnë në asnjë moment monitorimin fiskal, aq më shumë se çdo përdorues duhet të njoftojë organin tatimor që është përdorues. Ata që marrin statusin e përdoruesit për të përfituar nga lehtësimin. Janë aty sepse lehtësimet fiskale përdoren gjerësisht nga qeveritë dhe inovacioni është prioritet për qeveritë shqiptare. Nëse bëjnë shkelje e humbin këtë status.”, theksoi ministrja Ibrahimaj.
Durana Tech Park paraqet një model të ri zhvillimi për ekonominë shqiptare, duke kombinuar incentivat fiskale me fuqinë e bashkëpunimit dhe inovacionit, me synimin për të kthyer Shqipërinë në një magnet për teknologjinë e lartë në rajon.
Aktualisht, Durana Tech Park numëron 55 rezidentë, ndërsa 25 të tjerë pritet t’i bashkohen komunitetit në vijim. Ministrja konfirmoi angazhimin e qeverisë për të vijuar investimet në këtë projekt strategjik dhe për të forcuar bashkëpunimin mes qeverisë, akademisë, institucioneve të zhvillimit territorial dhe komunitetit të startup-eve.
