Komuniteti Mysliman Shqiptar ka reaguar pas incidentit të ndodhur në protestën e opozitës ku në Xhaminë e Namazgjasë ra gaz lotsjellës.
KMSH-ja dënoi incidentin duke u shprehur se besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
Komuniteti Mysliman u bëri thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje në mënyrë që veprimet e tyre të mos cënojnë besimtarët ose qytetarët.
“Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë. Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër”, deklaroi KMSH-ja.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi teksa besimtarët po falnin namazin e Teravive.
Në lidhje me këtë ngjarje reagoi mbrëmë edhe kryeministri Edi Rama, duke shkruar shkurtimisht në rrjetet sociale: “Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë…”
Ndërsa kreu i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij përmbyllëse në protestën e Partisë Demokratike tha se banditë me uniformë hodhën gaz në xhami. Ai deklaroi se këta njerëz, që bëjnë të tilla akte ndaj xhamsië, duhet t’i vrasë Zoti.
“Banditë me uniformë kanë hedhur bombola gazi dhe tymuese në xhami, në një kohë kur besimtarët po faleshin, këta xhelatë e mbushën xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë për këtë krim të shëmtuar. Janë pasardhës të etërve të tyre barbarë. Ju bëj thirrje besimtarëve myslimanë të dënojnë këtë akt të shëmtuar dhe i garantoj se kryengritja jonë paqësore nuk do ndalet. Ne do përballemi me kundërshtarin, që besimtarët mos prishin namazin”, tha ai.
