Një alarm për bombë ka shkaktuar panik dhe ndërprerje të procesit mësimor mëngjesin e sotëm në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë, pasi përmes postës elektronike janë dërguar kërcënime për vendosje mjetesh shpërthyese në institucionet arsimore.
Sipas asaj që raportojnë mediet lokale, menjëherë pas informacionit për kërcënime, drejtoritë e shkollave kanë njoftuar organet kompetente, ndërsa policia ka reaguar me shpejtësi duke dalë në terren. Për arsye sigurie, nxënësit dhe stafi arsimor janë evakuuar nga ndërtesat shkollore dhe janë dërguar në zona të sigurta, larg objekteve ku po kryhen kontrolle të detajuara.
Një nga shkollat e prekura është edhe Gjimnazi 7 Marsi, ku alarmi është raportuar në orët e para të mëngjesit. Nxënësit janë larguar në mënyrë të organizuar nga objekti, ndërsa forca të shumta policore dhe njësite speciale kanë rrethuar zonën, për të kryer kontrolle të imtësishme brenda dhe përreth shkollës.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se kërcënimet janë dërguar përmes emailit, një formë që kohët e fundit është përdorur edhe në raste të ngjashme në RMV. Megjithatë, deri në këto momente, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për kërcënim real apo alarm të rremë. Hetimet janë në vazhdim.
Prindërit e nxënësve janë njoftuar për situatën dhe shumë prej tyre janë drejtuar pranë shkollave për të marrë fëmijët e tyre. Për fat të mirë, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Procesi mësimor është ndërprerë përkohësisht në shkollat ku ka pasur alarme dhe rikthimi në klasa do të varet nga rezultatet e kontrolleve të sigurisë. Autoritetet apelojnë për qetësi dhe mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se siguria e nxënësve dhe stafit mbetet prioritet.
