“Ata që nuk kanë plotësuar kërkesat për sigurinë teknike, do të ndëshkohen rreptësisht”, kështu paralajmëroi nga terreni Afrim Qëndro, kryeinspektor i IKMT-së.
Duke marrë parasysh numrin e lartë të vdekjeve në kantieret e ndërtimit, sidomos vitet e fundit, ai tha se është përgatitur një plan pune i detajuar për të garantuar sigurinë në punë.
Sipas tij, shumë subjekte nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme, në zbatim të ligjit.
Aksioni për të kontrolluar çdo kantier në kuadër të sigurisë teknike po kryhet nga IKMT (Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtje së Territorit), AZHT (Agjencia e Zhvillimit të Territorit) , inspektoriati i Tiranës dhe policia bashkiake.
Pas verifikimit, në varësi të madhësisë së kantierit, do t’u lihet afat një javë ose deri në 10 ditë për të korrigjuar defektet. Më tej, siç njoftoi Qëndro, do të realizohet një kontroll i dytë, i cili për shkelësit e ligjit do të ketë pasoja.
Ndërtimi i banesave sociale nga bizneset private apo objektet social-kulturore të buxhetuara nga shteti, janë dy llojet e ndërtimeve që do të monitorohen.
“Të gjitha do të futen në filtrin e këtij kontrolli”, tha drejtori i ri i IKMT-së.
