Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë të mërkurë, më 25 shkurt, ligjin e ri “Për parandalimin e konfliktit të interesit”, i cili synon të kufizojë abuzimet me postin publik. Ligji pritet të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky ligj vendos masa të rrepta për zyrtarët e lartë, duke nisur nga anëtarët e kabinetit qeveritar, deputetët, kryebashkiakut, gjyqtarët dhe familjarët e tyre.

Në ligj thuhet se gjatë ushtrimit të funksionit, zyrtari publik duhet të parandalojë dhe të zgjidhë paraprakisht dhe në varësi të rrethanave çdo situatë konflikti interesi, në mënyrë të shkallëzuar dhe proporcionale me rëndësinë e saj, duke përdorur një ose më shumë nga mënyrat e mëposhtme:
a) transferimin ose tjetërsimin e interesave private që krijojnë konflikt me funksionin publik;
b) duke u vetëpërjashtuar paraprakisht nga procesi konkret i vendimmarrjes, me përjashtim të rasteve kur është i pamundur delegimi i kompetencave të zyrtarit tek një zyrtar tjetër për shkak të ligjit apo të situatës ose në rastet e organit kolegjial, duke mos marrë pjesë në diskutimin dhe votimin e çështjes në konflikt;
c) dorëheqjen nga detyra, funksionet ose angazhimet private që janë në konflikt me funksionin publik;
ç) dorëheqjen nga funksioni publik në rastet e konfliktit të vazhdueshëm të interesit kur ai nuk mund të zgjidhet me mjete të tjera.
Zyrtari publik është i detyruar të informojë dhe të dokumentojë plotësisht zgjidhjen e konfliktit të interesit pranë institucionit kompetent, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Zyrtarëve u ndalohet gjithashtu pranimi i dhuratave ku vlera maksimale e lejuar kufizohet në 10 mijë lekë.
“Vlera e dhuratave të lejueshme, për të cilat zyrtari nuk ka detyrimin për t’i deklaruar, nuk duhet të tejkalojë, veçmas ose së bashku, vlerën 10.000 (dhjetë mijë) lekë, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji. Nëse zyrtari ka dyshim për vlerën e dhuratës, ai njofton menjëherë eprorin ose institucionin kompetent që të kryejë vlerësimin e saj.”, thuhet në ligj.

Shkeljet e detyrimeve të përcaktuara në ligj, kur nuk përbëjnë vepër penale, do të konsiderohen kundërvajtje administrative dhe do të ndëshkohen me gjoba nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë.
Gjobat do të vendosen nga Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së, në rast se shkeljet verifikohen drejtpërdrejt nga ky institucion ose me propozimin e autoriteteve përgjegjëse në institucionet publike.
