Në Gjykatën e Tiranës është dhënë sot masa e arrestit për 42 të ndaluarit e protestës së opozitës më 2 qershor. Për 37 prej tyre është lënë detyrim paraqitje, dy në burg dhe tre në arrest shtëpie.
Pas dhënies së masave, ish deputeti demokrat Flamur Noka tha se ata po mbahen me urdhër të Edi Ramës, duke paralajmëruar protestë historike më 8 qershor.
“Opozita dhe qytetarët vazhdojnë të jenë në përballje me bandën në pushtet. E gjitha inskenim me urdhër politik, janë 26 qytetar që më 16 shkurt që janë të burgosur, vetëm se kanë protestuar, ndërkohë dalin skandale ku janë të përfshirë kryebashkiakë e deputet e kryeministri, fashikuj që prokuroria nuk mund ti zbërthejë por i zbërthejnë mediat e huaja. Bisha e plagosur është duke dhënë shpirt, mjeranë të gjithë ata shërbëtorë të bandës në pushtet, se shpresojnë se mund ta mbajnë me dhunë policie revoltën qytetare. Më datë 8 do jepet leksioni se nuk mbahet një bandë në pushtet, 8 qershori do jetë data që do shkruaj histori, do shpërthejë vullkani”, tha ai.
