I ftuar mbrëmjen e sotme, 10 mars, në emisionin “Përballë lajmit”, ishte eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, i cili dha një qasje më teknike mbi sulmin iranian ndaj faqes së Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas tij, ky sulm erdhi si pasojë e menaxhimit të serverave nga punonjësit e IT-së së institucionit dhe jo nga një kompani apo institucione që merren me menaxhimin e sigurisë së serverave, pasi në këtë menyrë sistemet janë më vulnerabël ndaj sulmeve të tilla kibernetike.
Kallanxhi ngre shqetësimin mbi kohën e ndërhyrjes së grupit hakerues “Homeland Justice” në serverat e Kuvendit dhe mbi lëvizjet që ata kanë bërë me email-et, pasi në këtë mënyrë mund të jenë kompromentuar njoftime mbi ligje, vendime, komunikime mes deputetëve.
Eksperti i IT-së ngriti dyshime për bashkëpunëtorë të hakerave brenda Kuvendit të Shqipërisë.
“Kjo është hera e dytë që po sulmohet Kuvendi i Shqipërisë nga ‘Homeland Justice’, do të thotë që nuk është bërë një punë e mirë herën e parë mbi sigurinë. Aty brenda mund të ketë edhe bashkëpunëtorë sepse fakti që ata kishin hyrë në root servers, në servera me infrasktrukturë kritike duhet të kesh shumë informacione të sigurisë, më lë dyshimin që ose kanë bërë rolin e viktimës ose ka bashkëpuntorë”, shtoi më tej Kallanxhi.
I pyetur nga moderatori në lidhje me rrezikun që kanoset ndaj hakerimit të institucioneve të tjera si bankat që prekin të dhëna të ndjeshme të qytetarëve, eksperti tha se bankat nuk janë të rrezikuara, pasi bankat kanë libra kontabël dhe çdo gjë ruhet në pajisje fizike ose në dokumenta të printuar ku çdo informacion kthehet ashtu siç ishte, në pak ditë.
Kallanxhi bëri të ditur se “sulmet e tilla kibernetike nuk ndodhin në një ditë të vetme”, por hakerat bëjnë një analizë paraprake të sulmit të tyre.
