Një grua 35-vjeçare është përballur me akuza penale në SHBA, pasi dyshohet se tentoi të vriste këngëtaren e njohur Rihanna duke qëlluar me armë zjarri drejt shtëpisë së saj në Los Anxhelos, të dielën, rreth orës 13:20.
Sipas një njoftimi të Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Los Anxhelosit, Ivanna Ortiz u paraqit për herë të parë në gjykatë të hënën, pasi u arrestua të dielën. Ajo akuzohet se ka qëlluar me një armë gjysmëautomatike drejt banesës së yllit të muzikës Pop.
Ortiz përballet me gjithsej 14 akuza, përfshirë një akuzë për tentativë vrasjeje, 10 akuza për sulm me armë zjarri gjysmëautomatike dhe tre akuza për qëllim me armë drejt një banese të banuar.
Sipas policisë së Los Anxhelosit, plumbat goditën portën e jashtme të shtëpisë, por jo brenda banesës. Në momentin e incidentit brenda shtëpisë ndodheshin persona, megjithatë nuk pati të lënduar.
E dyshuara, e cila është nga Orlando, mbahet në paraburgim me një garanci prej 1.8 milionë dollarësh dhe pritet të paraqitet sërish në gjykatë më 25 mars. Nëse shpallet fajtore për të gjitha akuzat, Ortiz mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, Rihanna dhe partneri i saj, A$AP Rocky, nuk kanë reaguar ende publikisht lidhur me incidentin.
