Javën e ardhshme Shqipëria do të bëhet shteti i dytë në botë që do ta shpallë Iranin “shtet financues të terrorizmit”. Pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën në vitin 1984, një projektrezolutë e depozituar në Kuvend nga socialistët, sanksionon se “Kuvendi i Shqipërisë shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”.
Në projekt-rezolutën e paralajmëruar më herët edhe nga Kryeministri Rama, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, ekzekutivi të vijojë me deklarimin terroriste edhe të dy prej organizatave me famëkeqe të regjimit iranian.
“Të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste. Të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit.“, thuhet në pr.rezolutë.
Drafti, që do të votohet në Kuvend seancën e javës së ardhshme, dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të vendit nga Irani, dhe i bën thirrje të gjitha vendeve të tjera demokratike apo organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Në rezolutë Kuvendi do të dënojë me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestër nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.
Vjeshtën e vitit 2022 Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të dëbojë diplomatët iranianë në Tiranë, pasi vërtetoi se regjimi i Teheranit fshihej pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare. Kryeministri Rama tha këtë të premte se sulmet nuk janë ndalur asnjë ditë që prej mbi 3 vitesh.
