Shumë ishuj në Europë ofrojnë peizazhe të jashtëzakonshme dhe pushime të qeta, por shpesh janë të vështirë për t’u arritur.
Megjithatë, disa destinacione ishullore kombinojnë natyrën spektakolare me akses relativisht të lehtë nga qytetet kryesore europiane. Nga plazhet me rërë të bardhë në Spanjë dhe Francë, te ishujt e qetë në Irlandë apo lagunat historike pranë Venecias, këta pesë ishuj konsiderohen ndër vendet më të mira “për t’u arratisur” me pushime dhe më të arritshme në Europë.
Sylt, Gjermani

I lidhur me tokën gjermane nga një digë hekurudhore, Sylt ndodhet rreth tre orë larg Hamburgut nëse udhëton me tren.
Është ishulli më i madh i Frisianit Verior, i vendosur mes Detit të Veriut dhe Detit Wadden, me moçale dhe rërë të lagësht në lindje dhe 40 km plazhe me rërë të bardhë në perëndim. Ishulli është destinacion i njohur për gjermanët, me hotele luksoze, resorte shëndetësore, apartamente, kampe modeste dhe shkolla sërfi.
Në Westerland, që është qyteti kryesor, mbërrijnë trenat nga Hamburgu. Kampen dhe Keitum janë alternativa të tjera, ndërsa pjesë të ishullit janë rezerva natyrore. Nëse shkoni, mos humbisni sanduiçin me harengë (peshk i vogël deti, që i përket familjes së sardeleve), kafenë lokale dhe midhjet Sylter Royal.
Sherkin, Irlandë

Nga Cork, udhëtimi zgjat rreth dy orë me makinë dhe traget për të mbërritur në Sherkin, një nga shtatë ishujt e banuar të West Cork.
Ishulli ofron qetësi, plazhe me rërë të bardhë dhe gjire të bukura. Vizitorët mund të qëndrojnë në Sherkin North Shore, të marrin pjesë në festivalin muzikor Open Ear, ose të shijojnë ushqim në pub-in e vetëm, Jolly Roger.
Ka shtigje për të bërë ecje, dhe studio artistësh, ndërsa qyteti Baltimore shërben si portë hyrëse për Sherkin dhe ishujt e tjerë.
Torcello, Itali

Pas disa ditësh në Venecia, vizitorët shpesh kërkojnë arratisje nga turmat. Torcello, një ishull i qetë në lagunën veriore, ofron hapësirë dhe paqe.
Shëtitja përmes ishullit të çon te ura Ponte del Diavolo dhe Bazilika e Santa Maria Assunta, me mozaikë të shekullit XI.
Vizitorët mund të shijojnë ushqim të zonës ose akullore pranë kishës, dhe të qëndrojnë një natë për të përjetuar qetësinë pasi turistët e ditës largohen.
Ishujt Frioul, Francë

Vetëm 20 minuta me traget nga Marseja, ishujt Frioul janë pjesë e parkut kombëtar Calanques. Dy ishujt kryesorë, Rattoneaudhe Pomègues, ofrojnë shtigje për të bërë ecje, plazhe të fshehta dhe pamje mahnitëse.
Vizitorët mund të shijojnë ushqim deti në restorantet pranë portit, të vizitojnë plazhin Saint-Estève, fortifikimet e vjetra dhe bunkerët e Luftës së Dytë Botërore. Ishulli If, me kështjellën Château d’If, është i famshëm nga romani Konti i Monte Kristos.
Ishujt Cíes, Spanjë

Në veriperëndim të Spanjës, pranë qytetit Vigo, ndodhen ishujt Cíes, të krahasuar shpesh me Karaibet për plazhet me rërë të bardhë dhe detin turkez (ngjyrë mes blusë dhe jeshiles).
Aksesimi kërkon autorizim paraprak dhe është i kufizuar, pasi ishujt janë park kombëtar. Plazhi më i madh, Rodas, ofron kajakë, ndërsa shtigjet lidhin farat, pyjet dhe observatorin e shpendëve. Restorantet e zonës shërbejnë ushqim deti tipik galician dhe verë albariño./Klan
