Besimtarët myslimanë falën sot namazin e Bajramit në xhamitë e vendit në qytetet e mëdha dhe në sheshe.
Të shumtë ishin besimtarët myslimanë, të cilët mbushën sheshin kryesor të qytetit të Lushnjës këtë mëngjes për faljen e namazit të Fitër Bajramit.
Faljen e namazit e mbajti Alban Puka, hoxhë i xhamisë Lushnjs.
Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu i Lushnjës Gramoz Blliku përcolli mesazhe bashkimi e vëllazërimi besimtarëve në shesh.
Në qytetin e Elbasanit dhe Fierit besimtarët e falën namazin në sheshin qendror të qytetit ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve.
Në ligjëratën e tij, myftiu Mikel Hazizolli ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë duke i ftuar të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidare.
Për herë të parë, këtë vit, në qytetin e Durrësit falja e Namazit u krye në një pjesë të sheshit “Liria” dhe hapësira të tjera publike pranë xhamisë sheshi para bashkisë rruga ishin në dispozicion të besimtarëve, për kryerjen e ritualit të faljes.
Ndërsa në Pukë ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit u bë në Xhaminë e Kodër Hanit. Falja u drejtua nga myftiu, Gëzim Kopani, i cili u ndal tek rëndësia e veprave të mira që duhet vazhduar nga besimtarët ashtu sikurse dhe gjatë muajit të Ramazant. Edhe në Pukë besimtarët u lutën për ndalimin e luftërave, për paqe dhe mirësi.
Në Vlorë besimtarët u mblodhën mëngjesin e sotëm pranë Pallatit të Sportit për të falur namazin e Fitër Bajramit. Në fjalën e tij, myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhallari, ka uruar të gjithë besimtarët për këtë festë të madhe, duke theksuar rëndësinë e paqes, begatisë dhe solidaritetit në këto kohë të vështira.
Hoxhallari u bëri thirrje besimtarëve të tregojnë më shumë sinqeritet, të ndihmojnë ata në nevojë dhe të mos harrojnë vlerat e sakrificës dhe humanizmit.
Ceremonia e faljes së namazit të Fitër Bajramit u zhvillua edhe në stadiumin e qytetit të Fushë-Krujës. Kjo ceremoni u drejtua nga imamët Muharrem Vrana dhe Dritan Rrahmani që ftuan besimtarët myslimanë dhe njerëzit me vullnet të mirë që të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidarë e më të shëndoshë.
“Është koha që të angazhohemi maksimalisht që të punojmë së bashku për t’ju larguar veseve dhe të shtojnë sa më tepër dashurinë mes njëri-tjetrit”, thanë imamët Vrana dhe Rrahmani.
Në Gjirokastër falja e kësaj dite të shenjtë u zhvillua në ambientet e Pallatit të Sportit u zhvillua. Faljen e namazit e drejtoi myftiu i Gjirokastrës, Ermin Gjana.
“T’ju uroj të gjithë qytetarëve të Gjirokastrës dhe vendit tonë një festë Fitër Bajrami sa më të gëzuar, me sa më shumë harmoni, me sa më shumë paqe, mirëkuptim edhe begati në jetën e familjeve të tyre”, tha Gjana.
Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbyen urime mes njëri-tjetrit, duke ndarë gëzimin e kësaj dite të bekuar. Tradicionalisht, shumë prej tyre vijojnë të vizitojnë familjarët dhe të ndihmojnë ata që janë në nevojë, duke ruajtur kështu frymën e humanizmit dhe bujarisë që përçon kjo festë. Ndërsa myftinjtë kanë çelur dyert e kanë pritur urime nga besimtarë, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare e përfaqësues të politikës e pushtetit.
