Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale Evis Sala, ka dalë në një konferencë për mediat ku ka zbuluar vendimet e marra këtë të enjte, më 26 mars, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Ministrja Sala tha se qeveria ka miratuar sot ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Çmimeve të Barnave.
“Me miratimin sot të këshillit të ministrave, për ngritjen dhe mënyrën të komisionit të çmimit të barnave u hodh një hap i rëndësishëm për më shumë transparencë.”, tha ajo.
Sipas ministres, ky hap synon të rrisë transparencën në përcaktimin e çmimeve, të përshpejtojë procedurat administrative dhe të garantojë furnizimin e qëndrueshëm të barnave, veçanërisht të atyre që janë të vetmet në treg.
Sala shtoi se ky vendim “Vjen si një nevojë e hershme për shpejtimin e procedurave dhe garantimine furnizimit të qëndrueshëm të barnave për qytetarët.”
Vendimi sipas ministres parashikon: Përcaktim më të qartë të çmimeve përmes një metodologjie të standardizuar, përshpejtim të afateve dhe procedurave për të shmangur mungesat, një dispozitë të veçantë për vitin 2026, për të siguruar që barnat të mos tërhiqen nga tregu, garantimin e qëndrueshmërisë së barnave dhe një treg farmaceutik më të sigurt, si dhe sigurimin që çdo pacient në Shqipëri të ketë barna në kohën e duhur dhe me standarde të larta cilësie.
