Lindja e Mesme shënon sot një muaj luftë, pasi Shtetet e Bashkuara thanë se shpresojnë të zhvillojnë bisedime me Iranin javën e ardhshme për t’i dhënë fund konfliktit.
“Ne mendojmë se do të ketë takime këtë javë, shpresojmë vërtet kështu”, tha i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff në një forum biznesi në Florida.
Lufta filloi më 28 shkurt me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Që atëherë, konflikti ka ndikuar rëndë në popullatat civile në rajon dhe ka shkaktuar ndërprerje në furnizimet me gaz dhe naftë, duke tronditur ekonominë globale.
Në një takim të ministrave të Jashtëm të G7 pranë Parisit, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio më parë aludoi për një përfundim të mundshëm të operacioneve të SHBA-së në të ardhmen e afërt.
”Kur Shtetet e Bashkuara të kenë mbaruar punë me iranianët në javët e ardhshme, ata do të jenë më të dobët se sa kanë qenë në historinë e kohëve të fundit”, deklaroi ai.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së sugjeroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mund të arrinin ende objektivat e tyre pa vendosur trupa tokësore.
Sipas ”Wall Street Journal” dhe faqes së internetit të lajmeve Axios, megjithatë, Uashingtoni po shqyrton dërgimin e të paktën 10 000 trupave shtesë në rajon.
– Trump kritikon aleatët e tij në NATO –
“Nëse shkelni në tokën iraniane, 150 dollarë do të bëhen çmimi minimal për naftën”, tha zëvendëspresidenti iranian, Esmail Saghab Esfahani në X, ndërsa nafta e papërpunuar Brent u mbyll më lart dje, në mbi 112 dollarë.
Një zyrtar iranian i sigurisë, i cituar në mënyrë anonime nga mediet, paralajmëroi gjithashtu se çdo operacion ushtarak në Ngushticën e Hormuzit do të çonte në “mbylljen e menjëhershme të saj për një periudhë të pacaktuar”.
Houthit në Jemen, aleatë të Teheranit, deklaruan se do t’i bashkoheshin luftës nëse sulmet kundër Iranit do të vazhdonin.
Në fund të takimit të tyre, ministrat e G7-s riafirmuan “domosdoshmërinë absolute” të rivendosjes së lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, e cila është kritike për ekonominë globale.
Donald Trump kritikoi edhe një herë vendet anëtare të NATO-s për mungesën e mbështetjes së tyre për operacionet amerikane kundër Iranit dhe pohoi se Uashingtoni mund të mos u vijë në ndihmë nëse do të jetë e nevojshme në të ardhmen.
“Ata thjesht nuk ishin aty”, deklaroi presidenti amerikan në një fjalim në Miami.
– “Të kapur në një kurth” –
Të dyja palët kanë demonstruar vendosmëri për të vazhduar luftimet.
Izraeli goditi dy objekte bërthamore iraniane, duke bërë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të bënte thirrje për “përmbajtje ushtarake për të shmangur çdo rrezik aksidenti”.
Dje në mbrëmje, rreth 10 shpërthime tronditën Teheranin.
Ushtria izraelite tha se po godiste “objektiva të regjimit” në kryeqytetin iranian.
Në Izrael, ushtria raportoi dje në mbrëmje se raketat ishin qëlluar nga Irani dhe sirenat ranë në Jerusalem.
Sipas shërbimeve izraelite të emergjencës, një burrë 52-vjeçar u vra në Tel Aviv.
Një muaj pas fillimit të luftës, civilët në të gjitha palët vazhdojnë të paguajnë një çmim të tepruar.
Ashtu si në Teheran, ku netët ndërpriten nga sulmet ajrore dhe shqetësohen nga ankthi.
Ensieh, një dentiste në Teheran, thotë se po “humbet pak më shumë shpresë çdo ditë”.
”Sot, jemi të zënë në një kurth mes tre fuqive të çmendura”, psherëtin gruaja 46-vjeçare.
“Lufta më ka shkëputur një pjesë të shpirtit tim”, shton ajo.
– Rreziku i “katastrofës humanitare” në Liban –
Republika Islamike, ende sfiduese, u bëri thirrje civilëve të qëndrojnë larg forcave amerikane në Lindjen e Mesme, dhe në veçanti të shmangin hotelet në rajon që strehojnë personel ushtarak amerikan.
Kjo ishte një përgjigje ndaj vërejtjeve të Donald Trump një ditë më parë, i cili, ndërsa shprehu optimizëm për negociatat, kishte shtyrë deri më 6 prill ultimatumin e tij për të shkatërruar termocentralet iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapej.
Garda Revolucionare detyroi dje tre anije që të ktheheshin atje.
Libani, nga ana e tij, vazhdon të paguajë një çmim shumë të rëndë, pasi u përfshi në luftë më 2 mars kur Hezbollahu, i mbështetur nga Teherani, filloi të qëllonte me raketa Izraelin.
”Situata në Liban është jashtëzakonisht shqetësuese, me një rrezik real të një katastrofe humanitare”, paralajmëroi agjencia e OKB-së për refugjatët, HCR, duke shprehur shqetësim për situatën e më shumë se një milion personave të zhvendosur në të gjithë vendin./ATSH
