Arrestohet në Tiranë 43-vjeçari i dënuar me 11 vite dhe 10 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes,të shfrytëzimit të prostitucionit dhe migracionit.
Në kuadër të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.
Si rezultat i operacionit, në rrugën “Don Bosko” u bë e mundur kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Elton Miha, 43 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Firences/Itali, në vitin 2015, e ka dënuar me 11 vite e 10 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhje e rëndë”, “Shfrytëzim prostitucioni”, dhe “Shkelje e ligjit për migracionin”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
