Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi sot se skema e naftës mbështet uljen e kostos së fermerëve.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët sot, Salla tha se ndër vite skema e mbështetjes së fermerëve, ka qenë nga dhënia e naftës drejtpërdrejtë, te mbështetja me fonde.
“Ne kemi kaluar në mbështetje me pagesë për uljen e kostove, sipas standardeve të BE-së. Ne do ta mbulojmë edhe në vitin 2026 dhe është një nga skemat që është diskutuar me shumë edhe nga mediat. Skema e naftës është një skemë mbështetëse për uljen e kostos dhe ne kemi menduar që çdo fermer të bëhet pjesë për përfitimin e masave që ne kemi vendosur, por kjo është në masën 10% të faturimit të tyre”, tha Salla.
Ministri Salla deklaroi se bëhet fjalë për një skemë gjithëpërfshirëse duke pasur parasysh BE-në, pasi edhe fermerët që do të bëhen pjesë e tregut të BE-së duhet të konkurrojnë me cilësi.
“Qeveria po bën punën e saj për të përgatitur legjislacionin për BE-në dhe për të përmbushur detyrimet në kapitujt përkatës, por edhe fermeri duhet të jetë pjesë e kësaj skeme për të qenë pjesë e BE-së. Fondin 4.6 miliardë euro e kemi çuar në 5.2 miliardë euro si mbështetje nga buxheti i shtetit, si masë për uljen e kostos së prodhimit, por kjo është dhënie pagese që fermeri të ulë kostot”, tha Salla.
Salla tha se fermeri bëhet pjesë në të gjitha masat e skemës, krahas 10% të faturimit që do të marrë pas dërgimit të faturave të Tatimet çdo 6 muaj.
“Nuk është vetëm një masë nafte, është mbështetje për fermerin dhe këto janë masat që kemi vendosur”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me vizitën në Bruksel për zhbllokimin e fondeve të IPARD nga BE, Salla tha se ka pasur një takim me ekipin në Bruksel dhe deri në 9 prill është caktuar afati që të depozitohen kërkesat e kërkuara nga BE me synim për të akredituar paketën e IPARD-it.
