Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla vijoi takimet në Parlamentin Gjerman (Bundestag) dhe me përfaqësues të Qeverisë gjermane.
Gjatë qëndrimit në Berlin, Balla zhvilloi takime të veçanta me raportuesit për Shqipërinë të grupeve ndryshme parlamentare, njëkohësisht anëtarë të Komitetit të Çështjeve Europiane si, z. Metin Hakverdi, deputet i Partisë Socialdemokrate, z. Manuel Sarrazin, deputet i Partisë së Gjelbërt, z. Jurgen Martens, anëtar i Komitetit të Çështjeve Europiane, deputet i Partisë së Demokratëve të Lirë.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte biseda lidhur me rekomandimin pozitiv pa kushte të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian si dhe shqyrtimi i rekomandimit nga Bundestagu gjerman në një kohë sa më të afërt.
Sipas Ballës, të tre këto grupe parlamentare janë shprehur pro fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë këtij viti.
Në Grupin e CDU/CSU, Balla zhvilloi një takim me Anëtarin e Presidencës së kësaj partie, deputetin Olav Gutting me të cilin bisedoi jo vetëm mbështeten për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, por edhe bashkëpunimi ekonomik shumëplanësh mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Z. Gutting i cili është gjithashtu edhe anëtar i Bordit të KfË u shpreh se Gjermania përmes projekteve të ndryshme në Shqipëri ka pasur si synim zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, forcimin e sektorit energjetik, përmes investimeve në linjat e interkonjeksionit dhe përmirësimin e furnizimit me ujë, të kanalizimeve dhe të trajtimit të integruar të mbetjeve.
Ndërsa Balla nga ana e tij u shpreh se Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë për ndihmën e pakursyer. Kontributet gjermane arrijnë në një total prej më shumë se 1 miliard euro. Vetëm për vitet 2017 dhe 2018 Gjermania ka vënë në dispozicion 85 milionë euro. Gjermania është në këtë mënyrë një nga donatorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm për Shqipërinë.
Bashkëpunimi ekonomik dhe rritja e prezencës së kompanive gjermane në sektorë strategjikë ishte tema e një bisede të shkurtër edhe me Ministrin Gjerman të Ekonomisë dhe Industrisë zotin Peter Altmaier.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u prit gjithashtu me një darkë zyrtare edhe nga Sekretari i Shtetit për Drejtësinë, z. Christian Langhe.