Krishti u ngjall! Besimtarët katolitë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin fetar. Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që u mbajt në të gjitha kishat katolike dhe përfundon me drekën tradicionale të së dielës.
Besimtarët katolikë të të gjitha moshave u mblodhën për të kremtuar vigjiljen e Pashkës së Madhe. Pak pas orës 22:00 në katedralen “Shën Pali” në kryeqytet, nisi mesha e ringjalljes së Krishtit.
“U ringjall!”, tha Imzot Arjan Dodaj para besimtarëve duke njoftuar se pas vigjiljes, e cila bashkon ditën dhe natën, nis dita e re.
Arqipeshkvi përcolli një mesazh për besimtarët, duke thënë:
“Një Pashkë të shenjtë që të jetë rilindje në shpirt në familjet tona, në çdo të ri e të re shqiptare. Me Zotin çdo shpresë e vdekur ringjallet e merr jetë me më shumë dritë, entuziazëm për të sotmen e të ardhmen. Kush beson, kurrë nuk i trembet jetës, së ardhmes, kurrë nuk u shmanget sfidave.”
Besimtarët ndanë gjithashtu urimet e tyre ku veç paqes e begatisë, shpresuan edhe për më shumë unitet midis shqiptarëve.
Në kujtim të birit të Zotit, i cili për 40 ditë qëndroi pa ngrënë e pa pirë, besimtarët po kaq ditë kufizohen në ngrënien e disa ushqimeve duke respektuar atë që njihet si Kreshmë.
Mëngjesi i Pashkës nis me vezën dhe bukën e bekuar, më pas besimtarët ndjekin meshën e së dielës, e cila nis në orën 10:00.
Ata shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar. Gjithashtu, familjet mblidhen bashkë rreth tryezës për të festuar duke shtruar disa prej gatimeve tradicionale si mish i pjekur, byrekë të llojeve të ndryshme, lakror apo vezë.
Dita e Pashkëve konsiderohet në familjet e besimtarëve edhe si ditë e anashkalimit të mërive dhe faljes. Ajo konsiderohet si një nga festat më të rëndësishme të kalendarit katolik për të uruar shëndet, mbarësi dhe paqe.
