Në ditën e 39-të të sulmeve amerikano-izraelite në Iran, presidenti Donald Trump ka bërë një kërcënim drithërues për Teheranin.
Teksa afati i ultimatumit të tij për hapjen e Ngushticës së Hormuzit po vjen drejt fundit, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëron se nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, ‘sonte një qytetërim i tërë do të vdesë, për të mos u kthyer më kurrë’.
“Nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë. Megjithatë, tani që kemi një ndryshim të plotë dhe total të regjimit, ku mbizotërojnë mendësi të ndryshme, më inteligjente dhe më pak të radikalizuara, ndoshta mund të ndodhë diçka revolucionarisht e mrekullueshme, KUSH E DI? Do ta zbulojmë sonte, në një nga momentet më të rëndësishme të historisë së gjatë dhe komplekse të botës. 47 vite zhvatje, korrupsion dhe vdekje më në fund do të marrin fund. Zoti e bekoftë popullin e madh iranian!”,- shkruan Trump.
Shtëpia e Bardhë mohon se po shqyrton një sulm bërthamor në Iran. Sqarimi i Shtëpisë së Bardhë vjen pas fjalëve të thëna nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance në Hungari.
Nga Hungari, lidhur me Iranin, Vance deklaroi “shpresoj që do të marrim përgjigjen e duhur, sepse ajo që duam vërtet është një botë ku furnizimi me naftë e naftës të qarkullojë lirshëm dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse Irani vazhdon me akte të terrorizmit ekonomik. Duhet ta dini se kemi mjete që ende nuk kemi vendosur t’i përdorim dhe që presidenti mund të vendosë t’i përdorë, dhe do t’i përdorë nëse Irani nuk ndryshon sjellje.”
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar vendet fqinje se “periudha e moderimit ka mbaruar” dhe do të godasë infrastrukturën e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të ndërprerë furnizimet e rajonit me naftë dhe gaz për vite me radhë.
“Nëse ushtria terroriste amerikane kalon vijat e kuqe, përgjigjja jonë do të shtrihet përtej rajonit. Ne nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi iniciatorët e sulmeve kundër objektivave civile, por nuk do të hezitojmë të hakmerremi kundër sulmeve frikacake ndaj infrastrukturës civile”, paralajmërojnë Pasadaranët.
Rusia dhe Kina kanë bllokuar me të drejtën e vetos draft-rezolutën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të përgatitur nga Bahreini, mbi sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
Teksti mori 11 vota pro, dy kundër dhe dy abstenime. Drafti kërkonte zhbllokimin e kësaj rruge të rëndësishme detare: një rezultat shumë larg qëllimit fillestar të vendeve të Gjirit që e promovuan, të cilat synonin të merrnin autorizimin për të çliruar Ngushticën me forcë. Drafti përfundimtar nuk përmendte më autorizimin për përdorimin e forcës, as për qëllime mbrojtëse.
Ndërkohë Izraeli dhe SHBA-të kanë vijuar sulmet e tyre edhe këtë të martë. Sipas mediave iranianie sulmet ajrore goditën aeroportet kryesore dhe disa vende në të gjithë Iranin verior dhe perëndimor.
Shpërthime u raportuan gjithashtu në Teheran në qytetin qendror të Qomit dhe në ishullin Kharg, sipas raportimeve të medias. Në mes të marsit, ushtria amerikane kishte kryer tashmë sulme ajrore në këtë ishull, nga ku kalon 90% e eksportit të naftës së Iranit.
Media britanike ‘The Times’ thotë se gjendja shëndetësore e liderit suprem të Iranit Mojtaba Khamenei është e rënduar. Gazeta citon një memorandum diplomatik të bazuar në vlerësimet e inteligjencës izraelite dhe amerikane, sipas të cilit Khamenei është në gjendje pavetëdije dhe po merr trajtim mjekësor në qytetin e Qomit.
Sipas memorandumit, ai është pa ndjenja dhe “në një gjendje që nuk i lejon të marrë pjesë në asnjë proces vendimmarrës të regjimit”.
