Fshati Val, një ndër zonat më të thella të krahinës së Martaneshit, po ringjallet pas një periudhe të gjatë braktisjeje. Për afro 20 vite, ky fshat jetoi në errësirë totale për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik, duke detyruar banorët të largoheshin.
Sot, jeta ka nisur të rikthehet. Rreth 80 familje kanë zgjedhur të jetojnë sërish mes maleve të larta, ndërsa shumë emigrantë janë kthyer duke investuar në vendlindje.
Rikthimi i energjisë elektrike ka sjellë shpresë, por një problem thelbësor vazhdon të rëndojë jetën e banorëve: mungesa e ujit të pijshëm. Ujësjellësi i vjetër është shkatërruar plotësisht, duke i lënë familjet pa furnizim të qëndrueshëm.
Banorët i bëjnë thirrje pushtetit vendor të ndërhyjë për të investuar në sistemin e ujësjellësit dhe për të shmangur një tjetër valë braktisjeje. Zgjidhja duket pranë, një burim uji në Bizë, vetëm 4 kilometra larg, mbetet në dorën e institucioneve që ky potencial të shfrytëzohet.
Fshati Val ka nisur të marrë frymë sërish. Tani, mbetet për t’u parë nëse do të kthehet në një destinacion turistik të qëndrueshëm, apo do të përballet sërish me harresën.
