Në kuadër të panelit “Diaspora partner në biznes dhe inovacion”, që u zhvillua gjatë Samiti i IV të Diasporës, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të rritjes ekonomike.
Ajo u shpreh se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje prej 3.5 deri në 4% në vitet e fundit, e shoqëruar me rritje të vazhdueshme të investimeve që po nxisin zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Sipas saj, një vlerë e shtuar e këtij procesi vjen nga investimet e diasporës dhe shqiptarëve që sjellin eksperiencën e tyre nga jashtë, ndërsa theksoi rëndësinë e një plani të dedikuar bashkëpunimi me objektiva konkrete.
Ministrja përmendi gjithashtu interesin e 70 aplikantëve shqiptarë në fondet për startup-e, si një sinjal pozitiv për një ekosistem inovacioni në rritje, duke nënvizuar se sektorë kyç si turizmi dhe punësimi po zhvillohen, ndërsa papunësia po shënon rënie.
“Shqipëria është në një moment të jashtëzakonshëm të rritjes së saj ekonomike. Vitet e fundit ne kemi pasur një rritje që ka shkuar nga 3.5 deri në 4%. Çdo vit investimet janë ato që kanë ardhur në rritje dhe kanë nxitur akoma më shumë investime dhe do të nxisin akoma më shumë zhvillim ekonomik, por investimet kanë gjithmonë më shumë vlerë nëse janë nga diaspora, apo nga shqiptarë të cilët duan të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
Të japin eksperiencën e tyre të jashtëzakonshme që kanë dhënë jashtë. Vetëm duke pasur bashkërisht një plan pune të dedikuar me objektiva konkrete. 70 shqiptarë jo vetëm nga rajoni, por edhe më gjerë aplikuan nga fondet e startup-ve. 70 mund të duket një numër i vogël, por në të vërtetën në tërësinë e këtij ekosistemi që është në rritje, unë mendoj se është një shifër domethënëse. Besoj shumë që inovacioni, por edhe ndërlidhja e asaj që shqiptarët kanë bërë në drejtimin e inovacionit jashtë dhe asaj që ne duam të zhvillojmë këtu, shumë mirë mund të bëhet në sajë të mbështetjes që ne japim për shqiptarët e diasporës.
Shqipëria është në rritje, ekonomia është në rritje, punësimi është në rritje, papunësia është në rënie. Ato sektorët që ne kemi etiketuar si sektorë kyçë janë duke u zhvilluar. Ju e dini shumë mirë zhvillimin që turizmi ka pasur dhe kjo nuk ka ardhur brenda natës”, tha Ibrahimaj.
