Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi sot se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe procedurat ligjore në kuadër të programit IPARD III dhe tashmë pritet vendimi i Komisionit Europian për vijimin e mëtejshëm të zbatimit të tij.
Në një konferencë për mediet, Salla theksoi se institucionet shqiptare kanë përfunduar dokumentacionin dhe kanë ndjekur të gjitha procedurat në bashkëpunim me partnerët europianë.
“Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe të gjitha procedurat ligjore që na takojnë në bashkëpunim me Brukselin dhe Ministrinë e Financave, përmes MBZHR dhe AZHBR. Kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe mbetet në vlerësimin e Komisionit për ta vijuar me një hap tjetër. Ky është hapi i fundit që ne kemi kryer dhe presim përgjigjen e tyre për të vijuar procedurat ligjore”, u shpreh Salla.
Ai vlerësoi se IPARD III përbën një mundësi të rëndësishme financimi për fermerët shqiptarë, me një fond prej 146 milionë eurosh, i cili synon nxitjen e investimeve në standardet europiane, rritjen e sigurisë ushqimore dhe modernizimin e sektorit bujqësor.
Sipas ministrit, programi është i strukturuar në mënyrë që të mos mbivendoset me Skemën Kombëtare të Mbështetjes, por të ofrojë mundësi shtesë për fermerët sipas nevojave të tyre investuese.
“Këtë e kemi bërë për t’u dhënë akses të gjithë fermerëve, qoftë nga skema kombëtare, qoftë nga IPARD III”, deklaroi Salla.
