Tirana do të mirëpresë më 12 qershor një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, koncertin “Fio Zanotti & Super Band featuring FEZZ”.
Kjo mbrëmje artistike do të zhvillohet në ambientet e Qendrës Kulturore të Kompleksit të Katedrales Orthodhokse në orën 20:00 dhe do të sjellë në Shqipëri figurat më të rëndësishme të muzikës italiane bashkëkohore.
I ftuari kryesor i koncertit do të jetë Maestro Fio Zanotti, dirigjent, kompozitor dhe producent me një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Gjatë dekadave të fundit, ai ka bashkëpunuar me emra ikonë të muzikës italiane dhe botërore si Adriano Celentano, Zuçhero, Anna Oxa, Claudio Baglioni, Fiorella Mannoia, Eros Ramazzotti, Andrea Bocelli, apo Plácido Domingo.
Prania e tij në Tiranë përbën një ngjarje artistike me rëndësi të veçantë dhe një moment domethënës për shkëmbimin kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në qendër të këtij projekti artistik qëndron edhe artistja FEZZ, e lindur dhe e rritur në Verona të Italisë nga prindër shqiptarë që emigruan në fund të viteve 90’. Ajo është rritur mes dy kulturave që kanë formësuar identitetin e saj artistik dhe personal.
Bashkëpunimi mes FEZZ dhe maestro Fio Zanotti nisi rreth një vit më parë në Bologna, ku maestro zhvillon aktivitetin e tij artistik. Deri më tani, ata kanë realizuar së bashku dy këngë, duke ndërtuar një raport artistik që tashmë kulmon me këtë koncert të rëndësishëm në Tiranë.
Koncerti do të prezantohet nga Ardit Gjebrea, një prej figurave më të dashura dhe më të vlerësuara të skenës artistike dhe mediatike shqiptare. “Fio Zanotti & Super Band featuring FEZZ” nuk do të jetë jo vetëm një koncert, por edhe një festë e historive të identitetit, integrimit dhe lidhjeve kulturore që bashkojnë Shqipërinë dhe Italinë përmes muzikës.
Ngjarja zhvillohet nën kundesin e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e saj në promovimin e dialogut kulturor dhe artistik mes dy vendeve.
