Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar ka bërë publike identitetet e personave të përfshirë në një grup kriminal të akuzuar për trafikim ndërkombëtar droge dhe pastrim parash në shkallë të gjerë.
Personat e akuzuar janë: Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi me pseudonimin Eldi Dizdari, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu. Në kuadër të hetimeve u kontrolluan gjithashtu Ardi Kollçaku, Redi Peza dhe një person tjetër me inicialet K.SH.
Sipas SPAK, nga të gjithë të akuzuarit, vetëm Florjan Musaj është arrestuar deri më tani. Dy të tjerë dyshohet se ndodhen ende në territorin shqiptar, ndërsa shtatë të tjerë janë jashtë vendit. Prokuroria po bashkëpunon me autoritetet ligjzbatuese të vendeve përkatëse për kapjen e tyre.
Grupi akuzohet se ka operuar gjatë periudhës 2019–2021 në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë, duke trafikuar të paktën 50 ton kokainë. Janë provuar pesë episode kryesore trafikimi, gjatë të cilave janë sekuestruar gjithsej 8 ton e 960 kg kokainë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, një pjesë e të ardhurave të fituara nga trafiku i drogës janë transferuar cash në Shqipëri për të shmangur sistemin bankar dhe janë investuar në pasuri të paluajtshme, aksione në kompani tregtare, ndërtim, hoteleri dhe konsulencë.
Autoritetet sekuestruan pasuri me vlerë totale prej rreth 150 milionë eurosh. Ndër to përfshihen kompanitë “Aliu Road House”, “Green Invest”, “Seaview Development” dhe “A.R.H Security”, si dhe të tjera.
U sekuestrua gjithashtu një pjesë e kompleksit multifunksional turistik, rezidencial dhe komercial “Porto Lalzi / Lalzi Marina Seaside” në Hamallaj, Gjiri i Lalzit, në bazë të marrëveshjes mes shoqërisë “Sviluppo Mare 1” dhe “Aliu Road House”.
Mes sekuestrimeve figurojnë edhe të drejta reale mbi pasuri të paluajtshme të lidhura me ndërtimin e hotelit “Zig-Zag” me 5 yje dhe mbi 200 dhoma në Jalë të Himarës, ku kompania “Narvalno Group” kishte marrë përsipër bashkëfinancim në masën 40%.
Janë sekuestruar gjithashtu të drejta pasurore mbi kompleksin e villave në Mjull Bathore, Tiranë, në projektin “Astoria Residence”, si dhe kompanitë “Altea Construction”, “F&XH Invest”, “Altea Invest”, subjekti tregtar “S.T.N.P.M”, pjesa takuese e Shpëtim Bibajt, “Hotel Elisa Tirana” i afiliuar me Melia, si dhe pasuri të ndryshme të paluajtshme për ndërtimin e një objekti hotelier në Dhërmi.
Në listën e të përfshirëve figuron edhe ndërtuesi Ardi Kollçaku, i lidhur me kompaninë “Anchor Invest”, si dhe Redi Peza, pronar i Porto Lalzit dhe i “Sviluppo Mare”.
